Ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, bëri të ditur se kanë filluar përgatitjet për një tjetër sezon turistik të suksesshëm.

 

“Trajnimet dhe njohja e mirë e siteve përpara sezonit turistik, për guidat dhe agjencitë turistike, janë elemente kyç për një eksperiencë të paharrueshme për vizitorët”, u shpreh ministri i MEKI-t, në rrjetet sociale.

Ai tha se paralelisht, po vijon puna për mirëmbajtjen dhe përkujdesjen ndaj siteve arkeologjike, për të ruajtur dhe promovuar vlerat tona historike.

Sipas statistikave të publikuara herë pas here nga institucionet, numri i vizitorëve në sitet kulturore, ka ardhur gjithnjë në rritje. Gjatë vitit 2024 vizitueshmëria shënoi rritje me 31%, krahasuar me një vit më parë, duke gjeneruar të ardhura nga shitja e biletave. Sitet kulturore gjatë vitit 2024 janë vizituar nga 1 314 999 persona, ndërkohë që pritet që për 2025-ën kjo shifër të tejkalohet.

Pesë sitet më të vizituara janë Kalaja e Gjirokastrës, Parku Kombëtar i Butrintit, Muzeu Gjergj Kastrioti në Krujë, Parku Arkeologjik në Shkodër dhe Parku Arkeologjik në Apoloni.