Hoti ka thënë se rezultati zgjedhor i LDK-së nuk është i kënaqshëm e as i përafërt me atë që kemi shpresuar “pas katër vitesh përgatitje”.

“Prandaj, për të kthyer besimin e anëtarësisë dhe elektoratit të gjerë, LDK-ja ka nevojë për lidership të ri. Nuk ka rrugë tjetër për rikthimin e besimit në LDK. LDK-ja ka nevojë për një lidership me qasje ekipore, që është gjithëpërfshirës, me orientime të qarta politike të qendrës së djathtë, që mbledh rreth vetes profesionistë dhe e rikthen LDK-në në epiqendrën e profesionistëve më të mirë të Kosovës, siç ka qenë LDK-ja. LDK-ja ka nevojë për një lidership që punon me transparencë të plotë karshi strukturave partiake në të gjitha nivelet, që e kthen partinë në funksionimin statutar, që merr vendime kolegjiale në bazë të statutit të LDK-së (që është kushtetuta e partisë) dhe në konsultim të gjerë me strukturat qendrore dhe lokale të partisë. LDK-ja ka nevojë për një lidership ekipor që i fashit përçarjet, që tregon kujdes ndaj të gjithë aktivistëve të rinj e të vjetër, që i bën bashkë të gjitha copat e LDK-së në të katër anët e vendit dhe në diasporë” ka shkruar ai në Facebook.

Hoti ka theksuar se lidershipi aktual, që drejtohet nga Lumir Abdixhiku, duhet të mbështesë ndryshimin brenda LDK-së, duke shtuar se LDK-ja mund ta kthejë besimin së bashku.

Ai ka ftuar partinë që t’i lë anash mëritë dhe pakënaqësitë dhe t’i përkushtohemi fuqizimit të LDK-së për interes të Kosovës.