Pak orë na ndajnë nga fillimi i ndeshjes mes Kombëtares së Kosovës dhe Islandës, ndeshje që do të luhet në ‘Fadil Vokrri’.
Dardanët dhe islandezët do të ballafaqohen në ndeshjen e parë të ‘Play-off-it’ në Ligën e Kombeve, ndeshje që do të transmetohet drejtpërdrejt në RTK.
Tashmë gjithçka është gati për këtë sfidë tejet të rëndësishme për të dy kombëtaret në garën për promovim në Ligën B të Ligës së Kombeve.
Përzgjedhësi i Kombëtares së Kosovës në futboll, Franco Foda, është shprehur i bindur se të besuarit e tij, do të bëjnë paraqitje të mirë në duel me Islandën.
“Atmosfera në skuadër është e mirë. Islanda ka lojtar individualisht të fortë, por ne do të bëjmë lojën tonë. Duhet të kemi shpirt luftarak në këto dy ndeshje”, ka thënë Foda.
Duelit mes Dardanëve dhe islandezëve, i paraprinë emisioni ‘Dardanët’ në RTK, emision në të cilin analizohet forma e lojtarëve të ftuar, përzgjedhja e selektorit Franco Foda për këto duele, dallimi i kombëtareve, ballafaqimet e ndërsjella si dhe ecuria e deritanishme e Kombëtares së Kosovës.
Në panel do të jenë opinionistët Ramiz Krasniqi dhe Malsor Gjonbalaj. Menjëherë pas ndeshjes emisioni vazhdon me pjesën përmbyllëse përfshirë prononcimet e lojtarëve dhe selektorit por edhe detajet tjera kryesore nga ndeshja dhe pritshmëritë për duelin e së dielës ndaj të njëjtit rival të cilin RTK po ashtu do ta transmetoj drejtpërdrejt.
Emisioni ‘Dardanët’ fillon nga ora 20:05, kurse, ndeshja mes Kosovës dhe Islandës starton në orën 20:45.