Kryekuvendari Glauk Konjufca tha se gjatë historisë së gjatë të shqiptarëve askund nuk mund të gjendet ndonjë konflikt mes tyre në bazë fetare.
“Është vërtet për t’u studiuar qysh nuk mund të gjendet asnjë tronditje në shoqërinë tonë, në popullin tonë, e cila është me bazë fetare, qysh e kemi parë në gjithë historinë e Evropës. Të rrallë janë popujt që kanë pasur imunitet prej kësaj historie, prej luftërave vërtet të ashpra në kontinentin evropian”, tha Konjufca.
Naim Tërnava, Myfti i Kosovës, ka thënë se prijësit fetarë, institucionet edukative dhe arsimore fetare, si dhe objektet e kultit, promovuan besimin e tyre, por në të njëjtën kohë çmuan dhe vlerësuan besimin e vëllezërve të tyre. Ndërkaq, Dodë Gjergji, Ipeshkëv i Kosovës, ka thënë se dialogu fetar vjen nga përvoja e jetës në dashuri dhe mirëkuptim ndër vëllazëror.
Artur Krasniqi, Pastor në KPUK, ka theksuar se dallimet fetare mund të jenë një urë lidhëse për bashkëjetesë dhe respekt.
“Një prift, një mysliman, ose një prift tjetër protestant gjatë Luftës së Dytë Botërore, sidomos gjatë kohës së Holokaustit, vendosi vetën në atë pozitë për të shpëtuar jetën e hebrenjve. Kjo është e paharrueshme,” ka thënë Hysen Hyseni nga komuniteti hebraik.
E organizatori i diskutimit, Zef Gashi, tha se synimi i bashkësisë fetare që i takon, është që të forcojë të përbashkëtën, pa cenuar të dallueshmen.
Ai shprehu nevojën të mos lejohet dominimi i dallimeve.
“Pikërisht në këtë kohë kur bota përballet me sfida të shumta, përçarje, konflikte, ne sot dërgojmë një mesazh të qartë: Dialogu është rruga e vetme për të ndërtuar një shoqëri të drejtë, të barabartë dhe paqedashëse”, tha Gashi, president i Fondacionit Drita.
Në diskutim mori pjesë edhe Jean Marie Speich, përfaqësues nga Vatikani. Ai tha se Selia e Shenjtë qe një kohë të gjatë promovon dialogun ndërfetar dhe lavdëroi raportin e ndërtuar nga shqiptarët.
“Rruga drejt paqes është toleranca dhe dialogu dhe për këtë arsye Selia e Shenjtë është e interesuar në modelin shqiptar, sepse ju e keni në kulturën tuaj me shekuj, një mënyrë për të qenë, që është përdorur, por ju e keni promovuar me shekuj me gjithë momentet e nivelit të lartë e të ulët. Modeli shqiptar mund të jetë shumë interesant për gjithë kontinentin evropian që nuk është mësuar me tolerancën”, tha Speich.
Krerët fetarë bënë thirrje që kjo vlerë e arritur dhe e ruajtur ndër gjenerata të bartet te gjeneratat e ardhshme. Ne fund te ketij organizimi, kreu i Komunes se Prishtines, shtroi iftar ne katedralen e Kosoves per pjesemaresit./Kosovatimes