Në raportin e Strategjisë së Kontrollit Ndërkombëtar të Narkotikëve, të departamenti për Byronë për Çështjet Ndërkombëtare të Narkotikëve dhe Zbatimit të Ligjit në Departamenti i Shtetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës vlerësohen përparimet e Shqipërisë në përmirësimin  e regjimit të saj kundër pastrimit të parave dhe luftimit të financimit të terrorizmit, e cila po heton dhe ndjek penalisht korrupsionin në nivele të larta.

 

Në raport thuhet se prokurorët dhe agjencitë e zbatimit të ligjit shqiptar morën pjesë në ekipe hetimore të përbashkëta të rëndësishme për kërkesat e anëtarësimit në BE.

Këto dhe operacione të tjera, shpesh të mbështetura nga këshilltarë të SHBA-së dhe BE-së, çuan në shkatërrimin e disa organizatave të rëndësishme të krimit të organizuar ndërkombëtar dhe trafikimit të drogës në vitin 2024.

SPAK mori pjesë në 35 ekipe hetimore të përbashkëta në vitin 2023 dhe zgjeruan përdorimin e tyre në vitin 2024. Më tej, po në këtë raport thuhet se SPAK-u sekuestroi dhe konfiskoi pasuri të paluajtshme, automjete, biznese dhe para të thata.

Në një shembull, SPAK-u dhe Policia e Shtetit Shqiptar u bashkërenduan me Eurojust, Europol dhe autoritete të tjera duke pasur si objektiv një grup të krimit të organizuar të udhëhequr nga shqiptarët që trafikonte kokainë dhe pastronte të ardhurat përmes kompanive që furnizonin fatura të rreme me vlerë rreth 400 milionë dollarë.

Sipas raportit, operacioni çoi në 66 arrestime dhe sekuestrimin e 360 kilogramëve kokainë, 4.3 milionë dollarë para të thata dhe armë e asete të tjera me vlerë 65 milionë dollarë.

Autoritetet shqiptare, shkruhet në raportin e Dash, vazhduan të hetojnë kultivimin e kanabisit në vend dhe trafikimin ndërkombëtar të kanabisit, ndërsa ndihma e SHBA-së përfshin konkretisht këshillimin e SPAK-ut për çështjet e narkotikëve dhe krimit të organizuar; përmirësimin e bashkëpunimit ndërinstitucional në hetime; këshillimin dhe trajnimin e agjencive mbikëqyrëse për të hetuar dhe ndëshkuar korrupsionin dhe krimin e organizuar brenda agjencive të zbatimit të ligjit.

Gjatë 12 muajve para tetorit të vitit 2024, një komision i pavarur shqiptar i mbështetur nga SHBA dhe BE shkarkoi 22 gjyqtarë dhe prokurorë për pasuri të pajustifikuara, me disa shkarkime gjithashtu të bazuara në kontakte me krimin e organizuar.

Gjithashtu në raport theksohet se Shqipëria duhet të vazhdojë përpjekjet për të forcuar sundimin e ligjit, për të shtrënguar rregulloret dhe mbikëqyrjen e pastrimit të parave dhe për të luftuar ndikimin e grupeve të krimit të organizuar kudo në  qeveri dhe shoqëri.