Qeveria e Kosovës në mbledhjen elektronike të së premtes, ka miratuar disa marrëveshje dhe rregullore, ndër to edhe Rregulloren e Rezultateve në Punë në Sektorin e Shëndetësisë.
Gjithashtu, Qeveria ka miratuar nismën për lidhjen e Memorandumit të Mirëkuptimit ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Dukatit të Madh të Luksemburgut për zbatimin e marrëveshjes së tyre dypalëshe në lidhje me bashkëpunimin për zhvillim.
Ndër të tjera, Qeveria, dje, në mbledhjen e saj ka miratuar edhe nismën për lidhjen e Marrëveshjes së Përgjithshme të Sigurisë ndërmjet Republikës së Kosovës dhe Republikës së Kroacisë për shkëmbim dhe mbrojtje të ndërsjellë të informacionit të klasifikuar.
Ky vendim vjen në kohën kur Kosova, Shqipëria dhe Kroacia bënë një marrëveshje në fushën e mbrojtjes, e cila nxiti reagimin e Serbisë.
Pas nënshkrimit të marrëveshjes trepalëshe Shqipëri, Kroaci dhe Kosovë ku thuhet se këto vende do të jenë bashkë përballë sfidave dhe synimeve të përbashkëta në fushën e mbrojtjes dhe të sigurisë.
Qeveria e Kosovës në mbledhjen saj gjithashtu ka zgjedhur bordin e drejtorëve të ndërmarrjeve publike, Korporatës Energjetike (KEK) dhe Postës.
Sipas njoftimit dërguar mediave të shtunën, Valdrin Krasniqi do të jetë kryesues i bordit të drejtorëve të KEK-ut. Merita Kasapooli, Filloretë Gashi-Sadiku dhe Shpëtim Zharku do të jenë anëtarët e tjerë.
Gëzim Paci do ta udhëheqë bordin e Postës. Safije Beseni, Sebahate Rexha dhe Visar Nura do të jenë anëtarë.