Ai ka kujtuar rënien e heronjve Zahir Pajaziti, Hakif Zejnullahu e Edond Hoxha për çka tha e ndien obligim që në nderim të tyre të ndërmerrnin aksion me dimension më të gjerë, por që u zunë në pritë nga ushtria e atëhershme e regjimit të Slobodan Millosheviqit.

Sipas tij, Likoshani e Qirezi ishin ngjarje të dhimbshme, që dërguan porosi se lufta po hynte në një tjetër fazë.

“E në përgjithësi se çfarë do të ndodhte e përcaktoi Familja Jashari, rezistenca e tyre deri në flijim na i hoqi dilemat që të luftojmë edhe ne deri në fishekun e fundit e njeriun e fundit”, tha Haradinaj.

Ai tha se që nga 24 marsi 1998 UÇK-ja e mbizotëroi Gllogjanin.

“Nuk kanë qenë ditë të lehta nga 24 mars 1998 e deri më 24 mars 1999. Shumë civilë ranë, por ditë më të mirë, më të madhe, shqiptarët nuk kanë përjetuar se sa më 24 mars 1999. NATO e prirë nga Amerika hyri në luftë duke sulmuar armikun tonë, forcat e Millosheviqit duke e bombarduar atë”, tha Haradinaj.

Haradinaj e quajti jetike aleancën me Amerikën.

“Është mallkim nëse ne vetëlavdërohemi dhe harrojmë ndihmën e atyre që na kanë dhënë në kohën më të vështirë të jetës tonë, ndihmën e Amerikës. Është mallkim t’ia rrahim krahët njëri- tjetrit të themi se nuk kemi nevojë për askënd se ne vetë e ruajmë lirinë tonë, e mbrojmë kufirin e e mbrojmë veriun. Për të mbrojtur vendin në interes tonin e të jetës tonë e kemi jetike aleancën me Amerikën. Kush vetëlavdërohet, kush mburret, ta dini se nuk me këtë vend e me këtë popull. Edhe ata të tjerë të huaj që na rrahin krahun e na thonë nuk keni nevojë më qoftë për Amerikën qoftë për të tjetër, nuk na duan të mirën. Aleancën me Amerikën duhet ta ruajmë si ditën e 24 marsit 1999”, tha Haradinaj para të pranishmëve në shënimin e 24 vjetorit të Epopesë së UÇK-së.