Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka përkujtuar vrasjen e tre intelektualëve Bajram Kelmendi, Agim Hajrizi dhe Latif Berisha, të cilët u ekzekutuan nga forcat serbe natën e 24 marsit 1999, në ditën kur nisën bombardimet e NATO-s kundër Serbisë.
Në një postim në Facebook, Kurti tha se këta tre veprimtarë të çështjes kombëtare dhe mbështetës të luftës çlirimtare u sulmuan nga forcat serbe në shtëpitë e tyre.
“Policët e Serbisë hynë dhunshëm në shtëpinë e Bajram Kelmendit, avokat dhe aktivist në Këshillin për Mbrojtjen e të Drejtave dhe Lirive të Njeriut. E rrëmbyen me dhunë bashkë me djemtë e tij, Kastriotin dhe Kushtrimin. Të tre u gjetën të vrarë dy ditë më vonë.
Kurti kujtoi edhe sindikalistin Agim Hajrizi, i cili u vra bashkë me nënën Nazmijen dhe të birin 11-vjeçar, Ilirin.
“Në prag të shtëpisë së tij në veri të Mitrovicës, në natën e 24 marsit, forcat e armatosura të Serbisë vranë intelektualin Latif Berisha, kryetar i LDK-së në Mitrovicë, profesor universitar i historisë së letërsisë shqipe dhe udhëheqës i pajtimit të gjaqeve,” ka shkruar ai në Facebook.
“Në 26-vjetorin e vrasjes së tyre, e kujtojmë jetën dhe veprën e Bajram Kelmendit, Agim Hajrizit dhe Latif Berishës. Nuk e harrojmë angazhimin e veprimtarëve tanë në rrugëtimin e gjatë për çlirimin e Kosovës. I përjetshëm qoftë kujtimi për ta!” ka shkruar tutje Kurti.