Ministri i Financave, Hekuran Murati, ka refuzuar të flasë për formimin e qeverisë së re deri në përfundimin e procesit të certifikimit të rezultateve nga zgjedhjet parlamentare.

 

Ai u deklarua pas konferencës së përbashkët me zëvendëspresidentin e Bankës Botërore për Financimin e Zhvillimit, Akihiko Nishio.

“Në lidhje me këtë çështje po besoj vlen ajo çfarë ka thënë kryeministri. Pra që fillimisht do të presim përfundimin e procesit të numërimit, certifikimin e rezultateve, konstituimin e Kuvendit e pastaj edhe mund të flasim për formimin e qeverisë”, tha ai.

Në ndërkohë kjo është java e shtatë prej kur Kosova iu nënshtrua procesit zgjedhor në zgjedhjet e rregullta parlamentare.

Në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve thonë se janë në pritje të vendimeve të Gjykatës Supreme, meqë procesi është në fazën e ankesave.

“Aktualisht procesi zgjedhor është në fazën e ankesave ndaj rezultateve përfundimtare të shpallura nga KQZ më 15 mars 2025. Komisioni Qendror i Zgjedhjeve do të presë vendimet e institucioneve përkatëse, t’i zbatojë ato nëse kanë detyrime për KQZ-në dhe pastaj do të mund të procedojë me certifikimin e rezultateve përfundimtare”, theksoi zëdhënësi, Valmir Elezi.

Sipas shpalljes së rezultateve më 15 mars nga KQZ, Lëvizja Vetëvendosje ka marrë 396,787 vota, apo 42.30 për qind; Partia Demokratike e Kosovës, 196,474 vota, apo 20.95 për qind; Lidhja Demokratike e Kosovës, 171,357 vota, apo 18.27 për qind; Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, 66,256 vota, apo 7.06 për qind.