Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Mark Rutte e ka paralajmëruar presidentin rus Vladimir Putin që të mos ndërmarrë ndonjë sulm ndaj Polonisë.

 

Kushdo që mendon se mund të shpëtojë duke sulmuar Poloninë ose një vend tjetër të NATO-s gabon dhe “do të ndiejë forcën e plotë të kësaj aleance të vendosur”, tha Rutte gjatë një vizite në kryeqytetin polak, Varshavë.

“Reagimi ynë do të jetë shkatërrues”, shtoi kreu i aleancës ushtarake perëndimore. Kjo duhet të jetë e qartë për Putinin dhe “këdo që dëshiron të na sulmojë”.

Më shumë fonde për ushtrinë

“Rusia është dhe do të mbetet kërcënimi më i madh dhe më i keq për aleancën tonë,” theksoi Rutte në një konferencë të përbashkët shtypi me kryeministrin polak Donald Tusk. Moska po e transformon ekonominë e saj në një “ekonomi lufte”, e cila do të ketë një ndikim të madh në aftësitë e ushtrisë ruse.

Në këtë kontekst, Rutte përshëndeti rritjen e planifikuar të shpenzimeve të mbrojtjes në Evropë dhe Kanada. Ai ra dakord me Presidentin e SHBA-së, Donald Trump, se vendet e NATO-s duhet të investojnë edhe më shumë në sigurinë e tyre. Partneriteti me Shtetet e Bashkuara mbetet “guri themeltar i aleancës sonë dhe kjo nuk do të ndryshojë”, shtoi holandezi.

Tusk theksoi se, duke pasur parasysh situatën gjeopolitike në ndryshim, është shumë e rëndësishme që Polonia të marrë konfirmimin “se NATO-ja është e detyruar të mbrojë Poloninë në çdo situatë kritike”. Kryeministri foli edhe për bisedimet e armëpushimit mes përfaqësuesve të SHBA-së, Ukrainës dhe Rusisë: “Të jemi të sinqertë, ndikimi ynë në këto negociata, për ta thënë me mirësjellje, është i kufizuar. Prandaj, ne si NATO, si Poloni, duhet të jemi të përgatitur për skenarë që ende nuk i kuptojmë plotësisht”.

Prandaj Polonia planifikon të shpenzojë 4.7% të prodhimit të saj të brendshëm bruto (PBB) për mbrojtjen kombëtare këtë vit. Për më tepër, qeveria e Varshavës synon të tërhiqet nga i ashtuquajturi Traktati i Otavës që ndalon minat kundër personave, siç bënë Estonia, Letonia dhe Lituania. Të katër shtetet janë aleatë të ngushtë të Ukrainës.