Pasi Komisioni Qendror i Zgjedhjeve certifikoj rezultatet përfundimtare të zgjedhjeve të 9 shkurtit, Kurti ka thënë se mandati i tij ka përfunduar zyrtarisht dhe tani ka kaluar në fazë kalimtare si kryeministër në detyrë.

“Me 23 mars 2025, mandati i plotë katërvjeçar i Qeverisë së Republikës së Kosovës, të udhëhequr nga unë si Kryeministër, përfundoi zyrtarisht dhe kaloi në fazën kalimtare të funksionimit si qeveri në detyrë, e cila efektivisht është sikur qeveria në dorëheqje e mandateve të mëhershme të të tjerëve. Kjo është hera e parë që një Qeveri e Republikës së Kosovës ka përfunduar me sukses mandatin e plotë kushtetues, duke shënuar një kapitull të ri të stabilitetit institucional në Republikën tonë demokratike”, ka shkruar Kryeministri në Facebook.

Kurti ka shtuar se kjo e vendos Qeverinë në një rol kujdestar, për të garantuar vazhdimësinë, sigurinë dhe funksionimin e pandërprerë të shtetit, në zbatim të Kushtetutës dhe ligjeve.