Ministria e Punëve të Jashtme e Kosovës ka reaguar ashpër ndaj Serbisë e cila vendimin e shtetit kenian për njohjen e Kosovës shtet e quajti “akt armiqësor”, shkelje të së drejtës ndërkombëtare dhe shkelje të rezolutës 1244 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së, duke paralajmëruar se do t’i marrë “të gjitha masat e nevojshme diplomatike”.
MPJD-ja në këtë reagim thotë se edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën.
Ky është reagimi i plotë i Ministrisë së Punëve të Jashtme dhe Diasporës ndaj Serbisë:
Deklaratë e Ministrisë së Punëve të Jashtme të Republikës së Kosovës.
Edhe një herë, Ministria e Punëve të Jashtme dhe Qeveria e Serbisë kanë zbuluar fytyrën e tyre të vërtetë duke treguar sërish se nuk kanë asnjë interes për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën. Deklarata e tyre e fundit si përgjigje ndaj vendimit sovran të Republikës së Kenias për të njohur Republikën e Kosovës, vërteton se Serbia vazhdon të refuzojë të përmbushë zotimet e saj në kuadër të Dialogut për normalizimin e marrëdhënieve, të lehtësuar nga BE-ja. Përkundrazi, Serbia vazhdon fushatën e saj të gënjeshtrave, manipulimeve dhe propagandës kundër Kosovës, duke përdorur çdo mjet në dispozicion për të penguar vendin tonë në rrugën drejt integrimit të plotë në mekanizmat ndërkombëtare.
Kjo nuk është hera e parë që Serbia i shpërfill hapur zotimet e saj ndaj Bashkimit Evropian. Duke refuzuar njohjen e Kosovës dhe duke shtrembëruar parimet juridike ndërkombëtare, Serbia sfidon hapur detyrimet e saja të përcaktuara me nenet 1–5 të Marrëveshjes për Rrugën drejt Normalizimit, të arritur në kuadër të dialogut të Brukselit. Refuzimi i Serbisë për të zbatuar këto zotime konfirmon edhe më tej mungesën e vullnetit të mirë dhe sinqeritetit në procesin e normalizimit.
Në deklaratën e saj, Serbia përmend Kartën e OKB-së, Lëvizjen e të Painkuadruarve dhe marrëdhëniet e saj me Kenian për ta paraqitur veten si viktimë. Megjithatë, bota e di shumë mirë. Kjo është po e njëjta Serbi nën udhëheqjen e shumë prej të njëjtëve individë që filloi katër luftëra në Ballkan në vitet 90-të, që kreu gjenocid e spastrime etnike në Kroaci, Bosnje dhe Hercegovinë dhe Kosovë. Kjo është e njëjta Serbi që ende i glorifikon kriminelët e dënuar të luftës, të cilët urdhëruan vrasjen masive të civilëve, grave dhe fëmijëve. Sot, Serbia vazhdon të mohojë dhe të kundërshtojë drejtësinë, siç dëshmohet në kundërshtimin e saj të turpshëm ndaj Rezolutës së Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së për gjenocidin e kryer në Srebrenicë. Serbia refuzon të hapë arkivat e saj shtetërore, duke e penguar botën të njohë të vërtetën e plotë për mizoritë sistematike të kryera nga policia, ushtria dhe forcat e saj paramilitare në Kosovë, masakra brutale si ato në Reçak, Izbicë, Krushë të Madhe, Poklek, Podujevë e Mejë, të cilat i kujtojmë çdo vit. Shumë nga udhëheqësit politikë dhe ushtarakë të Serbisë janë gjykuar dhe dënuar nga Tribunali i Hagës për rolin e tyre në vrasjet sistematike dhe dëbimet masive të shqiptarëve të Kosovës. Kjo Serbi nuk ka asnjë autoritet moral për t’i dhënë leksione asnjë vendi mbi të drejtën ndërkombëtare e aq më pak Kenias, vendi që ka njohur Kosovën në mënyrë të drejtë dhe të ligjshme.
Për më tepër, deklarata e Serbisë është e mbushur me gënjeshtra të hapura dhe dezinformata të qëllimshme. Pohimi se 28 shtete kanë tërhequr njohjen e Kosovës në tetë vitet e fundit është një gënjeshtër e paskrupullt. Përpjekjet e Serbisë për të minuar pozicionin ndërkombëtar të Kosovës përmes manovrave të sajuara diplomatike kanë dështuar vazhdimisht. Përveç kësaj, Serbia dëshiron që bota të injorojë opinionin këshillëdhënës të Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë mbi Deklaratën e Pavarësisë së Kosovës, një interpretim juridik që vetë Serbia e kërkoi, me shpresën për një vendim në favor të saj. Kur GJND-ja vendosi në përputhje me të drejtën ndërkombëtare dhe konfirmoi se pavarësia e Kosovës nuk e shkel atë, Serbia zgjodhi të shpërfillte vendimin që vetë e kishte kërkuar. Ky nivel hipokrizie është përtej absurditetit.
MPJ e Serbisë gjithashtu pretendon se njohja e Kosovës do të minojë dialogun e Brukselit. Nuk mund të ketë asgjë më larg së vërtetës. Është Serbia ajo që vazhdimisht refuzon ta përmbyllë dialogun dhe të normalizojë marrëdhëniet me Kosovën. Serbia refuzon të nënshkruajë marrëveshje, mohon hapur angazhimet e saj ndaj BE-së dhe mashtron bashkësinë ndërkombëtare. Serbia ka gënjyer jo vetëm BE-në, por edhe popullin e saj për dekada të tëra. Nuk është çudi, pra, që vazhdon të tentojë ta gënjejë edhe botën. Serbisë nuk mund t’i zihet besë.
Ajo që është edhe më shqetësuese, deklarata e Serbisë përmban një kërcënim të drejtpërdrejtë dhe alarmues kundër Kosovës. Duke deklaruar se do ta mbrojë “me vendosmëri më të madhe” sovranitetin dhe integritetin e saj territorial, Serbia po sinjalizon sërish gatishmërinë e saj për agresion. Duke pasur parasysh veprimet e saj të vazhdueshme armiqësore kundër Kosovës që nga përfundimi i luftës në vitin 1999 përfshirë sulmet ushtarake, politike, diplomatike dhe ekonomike bashkësia ndërkombëtare duhet t’i marrë këto kërcënime seriozisht. Akti i fundit i agresionit kundër Republikës së Kosovës në Banjskë dhe sulmi ndaj infrastrukturës kritike në kanalin e Ibër-Lepencit, i kryer nga grupe të mbështetura nga Serbia, është një kujtesë e qartë e gatishmërisë së Serbisë për të përdorur dhunën për të destabilizuar Kosovën. Ne i bëjmë thirrje bashkësisë ndërkombëtare që të dënojë ashpër retorikën agresive të Serbisë dhe shkeljet e saj të vazhdueshme të Marrëveshjes së Brukselit obligime që, siç kanë deklaruar Presidenti Macron, Kancelari Scholz dhe Kryeministrja Meloni, përbëjnë një njohje de facto të Kosovës.
Së fundi, duke ritheksuar mirënjohjen tonë më të thellë ndaj Republikës së Kenias për vendimin e saj të drejtë dhe të ligjshëm për të njohur pavarësinë e Kosovës, u bëjmë thirrje të gjitha shteteve që ende nuk e kanë njohur Kosovën që të ndjekin shembullin e Kenias. Njohja e Kosovës është veprimi i duhur ligjërisht, politikisht dhe historikisht. Republika e Kosovës është një shtet i pavarur dhe sovran, dhe vendi i saj në bashkësinë ndërkombëtare është i pamohueshëm dhe i pakthyeshëm.