Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike.
“Presidenca e Republikës së Kosovës kundërshton propozimin për rritjen e çmimit të energjisë elektrike në vend, pasi ky propozim është në kundërshtim me kornizën ligjore që e obligon ZRRE-në të përkujdeset për mbrojtjen e konsumatorit dhe injoron situatën ekonomike dhe aspektin e mirëqenies në vend”, thuhet në Komentin e Presidencës së Republikës së Kosovës dërguar në ZRrE.
Sipas presidencës, ashtu si në shqyrtimin e jashtëzakonshëm të vitit 2023, Presidenca ka analizuar raportet konsultative për përshtatjen e të Hyrave Maksimale të Lejuara të operatorëve energjetikë dhe tashmë ka dorëzuar komentet e saj tek ZRrE.
Presidenca thotë se po ndjek me shqetësim zhvillimet e fundit në vend, të cilat paralajmërojnë një rritje të mundshme të çmimit të energjisë elektrike.
“Sipas raporteve të ZRrE-së, pritet një rritje mesatare prej 15% për tarifat e konsumatorëve, duke filluar nga muaji prill. Ky vlerësim fillestar është bazuar në propozimet e dorëzuara nga kompanitë e rregulluara, si dhe vendimet për të Hyrat e Lejuara Maksimale për periudhën rregullative 2023-2027 për OST/OT dhe OSSH”, thotë presidenca.
Duke shtuar se çmimet e ushqimeve, të cilat kanë pasur një rritje të ndjeshme, janë të lidhura ngushtë me koston e energjisë dhe inflacionin në përgjithësi.
“Kostoja e jetesës është bërë shumë më e rëndë për qytetarët, duke bërë që shpenzimet për energji të arrijnë përqindje të larta të të ardhurave, veçanërisht për ata me paga më të ulëta”, thotë ajo.
Ajo thotë se përpara se të miratohet rritja e çmimit të energjisë elektrike, ZRrE-ja, duhet të angazhohet në monitorimin e menaxhimit të energjisë nga KEK-u dhe ta rrisë efikasitetin në prodhimin dhe shpërndarjen e energjisë, duke kontribuar në uljen e nevojës për import dhe në menaxhimin më të mirë të burimeve.
“Rritja e çmimit të energjisë nuk duhet të jetë opcioni i parë dhe i vetëm për të adresuar sfidat financiare, por një zgjidhje më e balancuar dhe e qëndrueshme duhet të jetë në qendër të këtij procesi”, thotë presidenca.