Kryeministri në detyrë Albin Kurti ka dënuar sulmin terrorist ndaj objektit të Postës së Kosovës në Zveçan, teksa ka thënë se liria e figurave si Millan Radoiçiq po shfrytëzohet për qëllime shoviniste.
“Qëndrimi në liri i kriminelit Radoiçiq dhe mosdorëzimi i tij autoriteteve të shtetit tonë është një mesazh i rrezikshëm që inkurajon kriminelë e terroristë, ekstremistë të ndryshëm, që të vazhdojnë veprimet e tyre me tendencë destabilizuese”, ka shkruar ai.
Kurti e quajt këtë akt si cënim i sigurisë dhe pengim i integritetit të qytetarëve në sistemin ligjor dhe institucional të Republikës së Kosovës.
“Sulmi tinëzar me granatë në terrin e natës është orvatje nga dëshpërimi dhe pafuqia e atyre që nuk sundojnë më në veriun e Kosovës. Posta e Kosovës do të qëndrojë aty si ndërmarrje publike, xhami i ri do të vendoset e shërbimet legale do të vazhdojnë të ofrohen për të gjithë qytetarët. Institucionet relevante janë duke kryer hetime të plota për të sjellë para drejtësisë autorët e këtij akti të rëndë. Kosova mbetet e përkushtuar ndaj paqes dhe stabilitetit rajonal, por nuk do të lejojmë asnjë përpjekje për të sfiduar rendin tonë kushtetues dhe sigurinë e qytetarëve tanë”, ka shkruar Kurti.
Më tej ai ka shkruar se përmes krijimit të tensioneve artificiale, po tentohet, sipas tij, të pengohet funksionimi normal i institucioneve dhe të minohet zhvillimi ekonomik e përparimi demokratik i Kosovës.
Nga shpërthimi pas mesnate te zyrat e reja të Postës së Kosovës në Zveçan nuk ka persona të lënduar. “Janë shkaktuar dëme materiale, thyerje xhamash por nuk ka të lënduar”, ka konfirmuar Zëvendësdrejtori i Policisë për Rajonin e Mitrovicës, Veton Elshani.