Sahudin M. Hysenaj, astronom
Ne jemi dëshmitarë të shkëlqimit të yjeve mbi ne për miliarda vjet. Për të ardhur drita e yjeve
në Tokë, ajo duhet të udhëtojë përmes hapësirës ndëryjore shumë vjet dhe në disa raste edhe
për qindra, mijëra, miliona vjet.
Por kjo botë e madhe përreth nesh është e lidhur ngushtë me jetën në planetin tonë. Pjesa më
e madhe prej jush do të çuditeni kur të kuptoni se çdo molekulë në trupin e njeriut përmban
atome që janë rezultat i shpërthimit të ndonjë ylli.
Në shikim të parë, yjet duken të bukur, dhe kur i vështroni, i shihni vetëm si “xixëllonja” të
ndritshme, të cilat mund t’ua caktojmë pozicionin, ndonjëherë edhe lëvizjen. Por, në brendinë e
tyre ndodhin procese që ne as që mund t’i imagjinojmë. Pikërisht aty sintezohen (krijojnë një
kombinim të elementeve të ndryshme për të formuar një tërësi të re) elementet kimike që janë
të domosdoshme për krijimin e njeriut, sigurisht edhe për ata njerëz që jetojnë jashtë sistemit
tonë diellor – jashtëtokësorët. Në ato kushte marramendëse, me temperatura që arrijnë
miliona gradë dhe presion triliona paskala, krijohet "brumi" që formon veten tonë – Njeriun.
Unë, ju të dashur lexues, telefonat, shtëpitë tona, hëna, dielli, yjet, galaktikat, në një fjalë, bota
e madhe, në vetvete përmban atome, molekula me përbërje të njëjtë kimike. Të njëjtat
elemente kimike që gjenden në Tokë, gjenden edhe në yje, andaj nuk ka kuptim të flasim për
elemente kimike tokësore, planetare, yjore apo qiellore. Gjithësia është unike në përbërjen e
saj materiale. Gjithçka ka fillimin e saj në yje (fillimisht një përzierje gazi dhe pluhuri), përfshirë
edhe prejardhjen dhe jetën tonë.
Absolutisht, pa përjashtim, çdo gjë evoluon. Thjesht, bota e madhe evoluon dhe, konform
ligjeve të fizikës, asgjë nuk është e pavdekshme … Asgjë mbi natyrore, nuk ka as "supermenë",
as "lugetër" … gjithçka funksionon falë ligjeve të natyrës. Andaj, mos keni frikë, vetëm
mundohuni t’i pranoni këto ligje sa më thjesht dhe drejt.
Të gjithë ne mund të themi se nuk është në interesin tonë të merremi me yjet, konkretisht me
shkencën e qiellit. Çfarëdo që të themi në këtë drejtim është e kotë, sepse yjet merren
drejtpërdrejt me ne. Ne dhe yjet jemi të lidhur rrënjësisht me njëri-tjetrin.
Edhe topi mund t’u “thotë” fëmijëve: “Ndal, unë nuk dua të merrem me ju, dua të jem i qetë”,
por kjo është e kotë, sepse do apo nuk do topi, fëmijët e rrokullisin atë për qejfin e tyre. Sa më
shumë që i njohim yjet, aq më shumë e njohim veten tonë dhe anasjelltas. Pra, për ta njohur
vetveten, duhet t’i njohim yjet nga të cilët kemi edhe prejardhjen. Kur ankohemi nga ndonjë
sëmundje eventuale apo dëshirojmë të dimë diçka më shumë për shëndetin tonë, doemos
vizitohemi te mjeku, bëjmë analizat e gjakut dhe nga ato caktohet diagnoza. Po ashtu, për
objektet e largëta qiellore, me theks të veçantë për yjet, është pothuajse e njëjta gjë. Ne
marrim “gjakun” e tyre, përkatësisht dritën që vjen prej tyre dhe, duke analizuar atë (spektrin e
rrezatimit elektromagnetik), i njohim më mirë ata.
Duke analizuar dritën e yjeve, në tërësi të objekteve qiellore, jemi në gjendje të përcaktojmë
përbërjen kimike, kushtet fizike të tyre, si temperaturën, shtypjen, fushën magnetike, moshën
etj., madje edhe shpejtësinë e afrimit apo të largimit të trupave qiellorë ndaj nesh, ose njëri-
tjetrit. Kështu, kemi gjithçka nën kontroll.
Rezulton se yjet janë sikur edhe vetë njerëzit: kemi yje të sapolindur, foshnje, të rritur, pleq, yje
të vdekur dhe, varësisht nga masa e tyre, ata evoluojnë dhe (harxhohen) konsumohen ndryshe
nga njëri-tjetri. Dallojnë shumë ndërmjet tyre, qoftë për nga shkëlqimi, madhësia e dukshme,
ngjyra, mosha, masa, temperatura, dritësia…
Numri i yjeve në gjithësi është ekuivalent me kokrrat e rërës në të gjitha plazhet e deteve dhe
të oqeaneve në planetin tonë. Dielli është një yll krejt i zakonshëm në univers, me moshë
mesatare dhe para vetes ka një rrugëtim të gjatë. Ai është në gjysmën e evoluimit të tij dhe
sasia e karburantit bërthamor në diell premton edhe 6-7 miliardë vjet. Pas kësaj kohe, në
bërthamën e Diellit do të harxhohet hidrogjeni dhe përreth 100 milionë vjet do të shndërrohet
në një gjigant të kuq. Dielli ynë, në fazën e gjigantit të kuq, do të qëndrojë rreth 2 miliardë vjet,
derisa të ketë harxhuar heliumin dhe kështu duke konsumuar heliumin, jeta e Diellit do të
shkojë drejt fundit. Në këtë fazë, ai do të jetë “plak”. Përmasat do t’i rriten deri në 10 herë dhe
gradualisht do të fillojë t’i gëlltisë planetët përreth, fillimisht Merkurin, pastaj Venerën, dhe më
pas këtë fat do ta ketë edhe planeti ynë, Toka, e kështu me radhë. Kështu që jeta në Tokë nuk
do të ekzistojë më.
Dielli dhe yjet humbin një masë kolosale të tyre, përderisa mbetet vetëm bërthama qendrore, e
cila do të përbëhet vetëm nga karboni dhe oksigjeni, ndërsa temperatura në bërthamë nuk
është e mjaftueshme për të mundësuar djegien e tyre dhe reaksionet termobërthamore
shuhen. Dielli dhe yjet me masë 10 herë më të madhe se ai, kthehen në stadin e fundit të
evoluimit të tyre, që quhen xhuxhë të bardhë, të cilët për një kohë do të shkëlqejnë dhe do të
rrezatojnë energji, sepse nuk kanë më mundësi ta prodhojnë dritën dhe energjinë e rrezatuar.
Dalëngadalë, duke u ftohur, ata kthehen në objekte të ftohta dhe të pavëzhgueshme. Dielli dhe
yjet e këtij lloji "vdesin". Jo të gjithë yjet evoluojnë dhe vdesin si Dielli ynë…
"Aty ku yjet kanë gjetur vdekjen, ne dhe jashtëtokësorët kemi gjetur lindjen”.
E vërteta është se ne dhe jashtëtokësorët kemi prejardhje nga vrulli i yjeve të ndryshueshëm!
Evoluimi i yjeve mund të krahasohet me zhvillimin e jetës tek njerëzit; yjet formohen në çdo
pjesë të universit përmes ngjeshjes gravitacionale të gazit dhe pluhurit kozmik.
Ky është procesi i lindjes së yjeve, të cilët në fillim janë foshnje, duke u formuar nga gazrat dhe
pluhuri, të njohur me emrin yje fillestare(protoyje), ndërsa në momentin kur temperatura dhe
presioni i madh aty në brendësi lejojnë bashkimin e bërthamave të lehta në ato të rënda,
atëherë yjet arrijnë fazën e stabilizimit, i takojnë vargut kryesor të yjeve, që do të thotë se kjo
është mosha e “rritur” e tyre. Ndërsa, yjet plaken atëherë kur kalojnë në fazën e gjiganteve të
kuq dhe “mbyllin jetën” në fazën e xhuxhëve të bardhë, të yjeve neutronikë apo të vrimave të
zeza.
Nga këndvështrimi i astrofizikës bashkëkohore, shpërthimet e supernovave (Supernova – yje
shpërthyes, të cilët e rrisin befasishëm shkëlqimin e tyre) janë rezultat i proceseve fizike më të
fuqishme, të cilat vrojtohen në botën e yjeve. Përgjatë këtij shpërthimi, vetëm për disa javë
çlirohet energjia që Dielli do ta çlironte për 1 miliardë vite! Dritësia e tij mund të bëhet sa e 100
miliardë diejve. Ky shpërthim është rezultat i shpërthimit të bërthamës së yllit masiv, në të cilën
karburanti i tyre bërthamor, kryesisht hidrogjeni dhe heliumi, janë djegur pothuajse tërësisht.
Nëse Dielli në të ardhmen do të shpërthejë sikur supernova, kjo do të ishte fatale për sistemin
tonë diellor, e në veçanti për banorët e Tokës. Ndikimi i rrezatimit përgjatë shpërthimit të kësaj
natyre në planetët e afërta do të jetë ekuivalent me shpërthimin e dy bombave atomike me
kapacitet më të madh që njeriu ka në dispozicion.
Ky shpërthim është rrezik për jetë, madje edhe kur ndodh larg nga ne për disa vjet drite.
Fatkeqësia e dinozaurëve, të cilët u zhdukën nga sipërfaqja e dheut para rreth 65-70 milionë
viteve, është rezultat i këtij shpërthimi, shpërthim ky i shkaktuar jo larg planetit tonë, diku rreth
100 ly (100 vite drite, domethënë sa rruga që përshkon drita me shpejtësi prej 300,000 km/s
për 100 vjet) ndaj sistemit tonë diellor. Historia e vërtetë e dinozaurëve është se ata nuk u
zhdukën nga asteroidi i shumë përfolur me diametër prej 11 km., por nga shpërthimi i
supernovave.
Nga ana tjetër, shpërthimi i supernovave është mënyra e vetme që të bashkohen elementet më
të rënda se hekuri. Vetëm këto shpërthime janë në gjendje “ta çrregullojnë” sintetizimin e
elementeve në bërthamën e yjeve nga karboni gjer tek urani në tërë galaktikën dhe po në këtë
mënyrë “të krijojnë” hapësirë me një materie e cila është e domosdoshme që të fillojë jeta.
Tingëllon çuditshëm, por katastrofat më të fuqishme dhe më vdekjeprurëse në botën e yjeve,
shpërthimet e supernovave, japin fillimin e jetës në gjithësi!
Toka dhe planetet e tjera u formuan nga pluhuri radioaktiv i ftohur pas shpërthimeve të yjeve
dhe secili nga ne mban në veten e vet pasoja nga këto katastrofa kozmike. Të gjitha analizat
tregojnë se ne jemi krijuar nga “hiri” i yjeve. Kur ka lindur gjithësia, aty ka pasur vetëm
hidrogjen dhe helium. Kështu që elementet e domosdoshme për jetë, si karboni, oksigjeni dhe
azoti, formohen në vrullin e bërthamës tek yjet e vjetër. Më pas, kometat janë ato që në
hapësirën ndërplanetare i kanë marrë molekulat e mjaftueshme dhe të domosdoshme që të
krijohet njeriu dhe jashtëtokësori; me një fjalë, kështu është shkaktuar jeta në Tokë dhe në
miliarda e miliarda planete të tjera anekënd gjithësisë.
Nuk është vetëm planeti ynë ku është mbjellë jeta, nuk është vetëm planeti ynë që ka pasur
mundësi të lindë dhe të zhvillohet jeta dhe të menduarit logjikisht, kjo është absurd; andaj,
jashtëtokësorët ekzistojnë, por ne na mbetet të gjurmojmë se cili është civilizimi atje.
Shpërthimet e supernovave i hedhin këto elemente në kozmos, ku këto zënë vend në materien
ndëryjore të mbetur dhe pas një kohe, prapë mbesin të përshtatshme për të formuar yje të rinj
dhe planetë.
Përafërsisht para 5 miliardë viteve, nga hidrogjeni dhe heliumi, lëmshi i gaztë dhe i pluhurit të
pasur, në këtë mënyrë është formuar sistemi ynë diellor. Përafërsisht pas 2.5 miliardë viteve ka
filluar jeta në planetin tonë.
Sistemi ynë diellor, pjesë e të cilit është planeti ynë, absolutisht nuk ka ndonjë përparësi ndaj
mijëra, miliona dhe miliarda sistemeve të tjera diellore në gjithësi. Sisteme këto që vazhdimisht
po zbulohen me yje në qendër, të ngjashëm me Diellin tonë, madje edhe me planetë që ngjajnë
në planetët tanë, dëshmi kjo që në sistemet e tjera diellore ka edhe qenie inteligjente.
Toka ka shumë përparësi ndaj planetëve të tjera në sistemin tonë diellor, sepse vetëm këtu
ekzistojnë qeniet e gjalla, ku pjesë nga këto qenie janë inteligjente.
Por, nuk ka ndonjë përparësi ndaj mijëra, miliona, miliarda planetëve të tjerë në sistemet e
tjera diellore. Ka prova se edhe në planetët e tjerë të ngjashëm me Tokën kanë qenie të gjalla,
madje pjesë nga ato janë qenie inteligjente.