Kjo u bë e ditur nga Presidenca para pak minutash.

“Presidentja e Republikës së Kosovës, Vjosa Osmani në përputhje me autorizimet kushtetuese dhe afatet ligjore, ka thirrur mbledhjen e parë të Legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës për datën 15 prill 2025”, thuhet në njoftimin presidencial.

Pasditen e 27 marsit, KQZ-ja certifikoi rezultatin zgjedhor të zgjedhjeve të 9 shkurtit, nga i cili moment nisi edhe rrjedhja e afatit ligjor e kushtetues prej 30 ditësh  për caktimin e datës së mbajtjes së seancës konstituive, aty ku deputetët e rinj pritet të betohen si ligjvënës së legjislaturës së nëntë të Kuvendit të Kosovës.

Lëvizja Vetëvendosje do t’i ketë 48 mandate në legjislaturën e re, 24 do t’i ketë PDK-ja, 20 LDK-ja, 10 vende janë për partitë jo serbe, 9 vende i ka Lista Serbe, 8 mandate do t’i kenë AAK-Nisma, ndërsa 1 ulëse e ka, Nenad Rashiq.