Presidentja e vendit, Vjosa Osmani-Sadriu, ka qëndruar sot në Komunën e Shtimes, ku ka filluar takimin me krerët e kësaj komune, nga të cilët është informuar për punët dhe zhvillimin që po bëhen në Shtime.
“Rrjedhimisht ne, çdo vit, vijmë më 15 janar. Mirëpo është shumë me rëndësi që Shtimen ta shohim edhe për potencialin që ajo ofron sot. Është një komunë plot me të rinj e të reja, secili më i jashtëzakonshëm se tjetri, njerëz të cilët po japin kontribut të madh në sektorin publik dhe atë privat, prandaj qytetarët e Shtimes e meritojnë gjithë vëmendjen dhe gjithë mbështetjen tonë,” tha presidentja Osmani.
“Presidenten e njoftova për krejt zhvillimet në komunën tonë, me sfidat dhe projektet që kemi aktualisht, edhe ato që presin të implementohen në komunën tonë,” tha Qemajl Aliu, kryetar i Shtimes.
Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka vizituar edhe klubet sportive të kësaj komune, ku i ka inkurajuar për rezultate sa më të mira.
“Sa më shumë suksese arrihen në komunën e Shtimes, këto suksese pastaj do të reflektojnë edhe për krejt Republikën e Kosovës dhe përtej kufijve tanë,” tha presidentja e vendit.
“U ndjeva e motivuar që Presidentja ka bërë një takim me neve si sportiste. Si femra që merremi me sport, kemi nevojë për përkrahje jo vetëm financiare, por edhe emocionale,” tha Eliza Imeri, lojtare e KH “Vjosa”.
Gjatë qëndrimit në Shtime, presidentja Vjosa Osmani-Sadriu ka vizituar bibliotekën e qytetit, klubin e Robotikës dhe një nga bizneset e kësaj komune. Presidentja Vjosa Osmani-Sadriu gjatë ditës së sotme ka vizituar edhe disa institucione afariste në Ferizaj.