Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara në Nju Jork, ka kërkuar nga bashkësia ndërkombëtare që t`i trajtojë seriozisht veprimet destabilizuese të Serbisë kundër Republikës së Kosovës dhe, njëkohësisht, ta ndalojë logjikën e mohimit e relativizimit të krimeve të rënda që kërcënojnë paqen dhe stabilitetin në Ballkan.
Duke folur lidhur me sulmin e armatosur të 24 shtatorit 2023 në Banjskë, ku humbi jetën polici Afrim Bunjaku, Ministrja Gërvalla deklaroi se ‘ky nuk ishte thjesht një incident i izoluar’, por një akt i planifikuar agresioni me bazë në Serbi dhe i kryer nga grupe paramilitare të udhëhequra nga terroristi Milan Radoiçiq, një person i lidhur ngushtë me elitën politike serbe. “Ta quash këtë një ‘incident serioz sigurie’, siç e përshkruan raporti i UNMIK-ut, është shtrembërim i hapur i realitetit. Ky ishte një akt i pastër agresioni i sponsorizuar, armatosur dhe mbështetur nga Serbia. Ishte terrorizëm shtetëror. Ishte akt lufte”, u shpreh Gërvalla.
Tutje, ministrja vuri theksin edhe mbi sulmin e 29 nëntorit 2024 ndaj kanalit Ibër-Lepenc, një sulm ky që kishte për objektiv infrastrukturën kritike civile dhe që rrezikoi jetën e mijëra qytetarëve. Ministrja Gërvalla deklaroi se Serbia ka refuzuar të bashkëpunojë në hetime, përkundër deklarimeve të saj publike.
Gjithashtu, e ka kritikuar raportimin e UNMIK-ut, duke e cilësuar të njëjtin si të njëanshëm dhe në shpërputhje me realitetin në terren. “UNMIK-u nuk po e dëmton më Kosovën, po e dëmton kredibilitetin e Kombeve të Bashkuara. Ndryshe nga agjencitë e tjera të OKB-së që janë partnere të vërteta, UNMIK-u është kthyer në një pengesë për të vërtetën,” ka deklaruar ajo.
Duke i bërë thirrje komunitetit ndërkombëtar për drejtësi, ministrja Gërvalla ka kërkuar që Serbia t’ia dorëzojë autoriteteve kosovare Milan Radoiçiqin dhe pjesëtarët e tjerë të grupit terrorist, dhe të ndalet mbështetja shtetërore për strukturat kriminale në Kosovë. Në përmbyllje, ministrja ka deklaruar se Republika e Kosovës është një demokraci e konsoliduar, që i respekton të drejtat e të gjitha komuniteteve dhe është model për stabilitet në rajon. Megjithatë, ka shtuar ajo, pa drejtësi dhe pa emërtim të saktë të krimeve, paqja do të mbetet e brishtë.
Gërvalla në KS të OKB-së: Kosova demokraci e gjallë, Serbia destabilizuese
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla gjatë fjalës së saj në Këshillin e Sigurimit të OKB-së, tha se Kosova është demokraci e gjallë, ndërkaq Serbia nuk ka hequr dorë nga përpjekjet destabilizuese.
“Kosova sot është demokraci e gjallë, e re, reziliente, me orientim drejt rrugëtimit euroatlantik. Por Serbia nuk është se ka ndërruar shumë, ajo vazhdon të përpiqet të destabilizojë demokracinë tonë. E përtej kësaj e bën këtë jo veç përmes retorikës, por me veprime konkrete e të dhunshme që rrezikojnë paqen rajonale”, ka thënë ajo.
Gërvalla përmendi sulmin e Banjskës si shënjestër e grupit paramilitar i mbështetur nga vet autoritete serbe.
“Milan Radojçiq njihet publikisht për lidhjet e tij me elitën politike të Serbisë, duke përfshirë edhe ministrin aktual të Punëve të Jashtme, Duric që është këtu dhe presidentin Vuçiq. Ka fotografi publike të zotit Duric ulur në kafieteri në Beograd me Radojçiqin, që e dëshmojnë këtë lloj lidhje. Ky ka qenë akt i hapur agresioni kundër një shteti fqinj, kryer nga një grup me trajnim ushtarak, pajisje logjistike, të gjitha këto të siguruara nga Serbia”, ka thënë Gërvalla.
“Dua t’i jap jehonë fjalëve të shprehura në Këshillin e Evropës gjatë procesit të anëtarësimit të Kosovës. Dora Bakoyannis, raportuese për anëtarësimin e Kosovës kishte deklaruar: ‘Kosova është demokraci funksionale, që respekton të drejtat e njeriut e të komuniteteve’. Më shumë se 82% të anëtarëve në Komitetin PACE kanë kërkuar anëtarësimin e Kosovës, dhe po jemi vend demokratik dhe jemi krenar për këtë”, ka thënë Gërvalla.
Tutje Gërvalla ka kritikuar raportin e paraqitur nga shefja e UNMIK-ut.
“Raporti i UNMIK-ut i bën jehonë propagandës serbe dhe i portretizon këto informata duke keqorientuar qëllimin dhe orientimin për paqe. Një keqinterpretim tjetër është vrojtimi i UNMIK-ut për gjykimet në mungesë, sidomos për të dyshuarit për krime lufte. Këto s’janë çështje e zgjedhjes por është domosdoshmëri sepse Serbia vazhdimisht i mbron këta të dyshuar. Gjykata në Bruksel, jo në Kosovë, i dënoi tre individë nga konspiracioni dhe ekzekutimi i atentatit të gazetarëve shqiptarë në Belgjikë, por Serbia vazhdon të kundërshtojë ekstradimin e tyre”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka thënë se kundërshtimi i autoriteteve serbe për kriminelët e luftës vazhdon të vlejë edhe për gjykimet që realizohen në Kosovë.
“E njëjta gjë vlen edhe për të dyshuarit për krime lufte që gjykohen në Kosovë. Në rastin e masakrës së Rezallës tre persona janë gjykuar në mungesë për vrasjen e 89 civilëve. Gjykimet në mungesë mbeten i vetmi opsion ligjor për të luftuar pandëshkueshmërinë”, ka thënë ajo.
Gërvalla ka përmendur edhe protestat e miliona qytetarëve në Serbi, të cilët të nisura si iniciativë studentore, sipas saj, janë dëshmi e pakënaqësisë qytetare ndaj regjimit atje.
“Regjimi aktual i Serbisë vazhdon të minojë demokracinë jo vetëm në Kosovë por në gjithë rajonin. Ka shkelur miliona qytetarë të vet në Serbi, që duan të ndahen nga ky regjim që i ka shtypur për shumë vite. Gjuha ka shumë rëndësi, si i përshkruajmë këto akte do të përcaktojë nëse parandalimi do të mbizotërojë mbi pa ndëshkueshmërinë. Kosova mbetet e përkushtuar për paqe e bashkëpunim, por paqja nuk është ruajtur kurrë duke toleruar agresionin, është ruajtur vetëm duke iu kundërvu agresionit me vendosmëri”, ka thënë ajo.
Gërvalla në seancën e Këshillit të Sigurimit: Ndërhyrja e NATO-s në Kosovë ishte ekzistenciale për të ndalur gjenocidin në Kosovë
Zëvendëskryeministrja dhe ministrja në detyrë e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla, në fjalën e saj para Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, kujtoi ndërhyrjen e NATO-s në Kosovë, të udhëhequr nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës, për të ndalur gjenocidin në Kosovë.
“Ndërhyrja e NATO-s nuk ishte vetëm legjitime, ajo ishte ekzistenciale. Ajo përfaqësonte mbrojtjen e vlerave themelore të Kombeve të Bashkuara dhe të vetë njerëzimit, ndaljen e një gjenocidi që ishte në zhvillim, shpëtimin e jetëve të panumërta dhe qëndresën ndaj krimeve masive kundër njerëzimit”, theksoi ministrja.
Ajo shtoi se intervenimi ndërkombëtar i dha fund fushatës së gjenocidit dhe vrasjeve masive të ushtruara nga regjimi i Serbisë në Kosovë. “Republika e Kosovës është shembulli më i mirë i asaj se si një ndërhyrje ndërkombëtare për të ndaluar gjenocidin, e pasuar nga mbështetja e palëkundur e bashkësisë ndërkombëtare, ka mundësuar ndërtimin dhe lulëzimin e një demokracie të plotë, evropiane dhe perëndimore. Përkundër kundërshtimeve të vazhdueshme nga Rusia, Serbia dhe aleatët e tyre, Kosova është shndërruar në një demokraci të konsoliduar dhe në një partnere të respektuar ndërkombëtare”, deklaroi Gërvalla.
Bajram Çerkini kujtohet në KS të OKB-së: Mishërim i humanizmit
Shefja e UNMIK-ut, Caroline Ziadeh gjatë adresimit të saj ka kujtuar kryetarin e Shoqatës së Personave të Pagjetur, Bajram Çerkini, i cili ndërroi jetë më 24 shkurt.
Me këtë rast ajo ka ftuar palët që të shfrytëzojnë Komisionin e përbashkët për të pagjeturit të krijuar përmes dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.
“Inkurajoj të gjitha palët që të shfrytëzojnë këtë komision të përbashkët bashkërisht me grupin ekzistues për personat e pagjetur për të ecur më tutje për të zbardhur fatin e më të dashurve të tyre. Në këtë kontekst dua të kujtoj vdekjen e Bajram Çerkinit, babai i një djali të zhdukur me forcë që i ka kushtuar dekada jete avokimit për të drejtën për të ditur, përpjekjet e të cilit kanë prekur shumë komunitete e etni dhe kanë qenë mishërim i humanizmit”, ka thënë Caroline Ziadeh, kryetarja e këtij Këshilli.
Kosova po përfaqësohet nga zëvendëskryeministrja dhe Ministrja e Punëve të Jashtme dhe Diasporës, Donika Gërvalla.