Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ka thënë se Kosova është demokracia më e avancuar në Ballkanin Perëndimor dhe një mbajtëse e standardeve të vlerave themelore të BE-së, por ende mbetet vetëm një kandidat i mundshëm për anëtarësimin në BE.
Po ashtu Kurti, përmes një njoftimi në Facebook, bëri të ditur se angazhimi i Kosovës për anëtarësim në BE, dhe për vlerat, politikat dhe standardet e saj, është më e fortë se kurrë.
Kështu ka deklaruar Kurti në fjalimin e tij në një diskutim që është mbajtur dje i organizuar nga Qendra për Studime të Politikave Evropiane (CEPS) në bashkëpunim me Ambasadën e Republikës së Kosovës në Bruksel, me temë “Rruga e Kosovës drejt BE-së: avancimi i demokracisë, siguria dhe rritja ekonomike”:
“Për më shumë se dy dekada, Bashkimi Evropian ka pohuar në vazhdimësi se Ballkani Perëndimor e ka vendin në Bashkimin Evropian. Ky zotim u shpreh pa ekuivok në Samitin e Selanikut në vitin 2003, ku BE-ja premtoi mbështetje për integrimin tonë evropian. Zotimi u përsërit shumë herë përmes konkludimeve të Këshillit Evropian, çdo gjashtë muaj. Mirëpo, deri tani, vetëm Kroacia ka arritur të bëhet anëtare”, ka thënë Kurti.
Tutje Kurti ka shtuar se qëllimet strategjike të Kosovës përfshijnë anëtarësimin në BE dhe NATO.
“Si e tillë, linjëzimi ynë i plotë me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së është i padiskutueshëm, duke pasur parasysh se qytetarët tanë mbështesin fuqishëm integrimin e Kosovës në BE. Lufta në Ukrainë theksoi nevojën për forcimin e unitetit dhe solidaritetit në mbarë Evropën. Politika e Përbashkët e Jashtme dhe e Sigurisë e BE-së veçohet si një instrument kyç për ruajtjen e paqes dhe sigurisë në rajonin dhe kontinentin tonë”, ka thënë ai.
Kryeministri i vendit ka theksuar se Kosova është plotësisht e linjëzuar me Politikën e Përbashkët të Jashtme dhe të Sigurisë të BE-së dhe vlerat e BE-së si pjesë e reformave të vazhdueshme.
Sipas tij, tash e tetë vjet, Kosova po tregon vazhdimisht vullnetin politik dhe kapacitetin për të zbatuar detyrimet që burojnë nga Marrëveshja e Stabilizim-Asociimit (MSA), e cila ka hyrë në fuqi që nga prilli i vitit 2016.
“Ne kemi përmirësuar ndjeshëm cilësinë e politikave, duke dëshmuar kështu aftësinë tonë për të zbatuar acquis-in sektorial të BE-së”.
Kurti, po ashtu, ka cekur se përmes Procesit të Stabilizim-Asociimit, Kosova që 20 vjet ka përshtatur dhe afruar legjislacionin dhe institucionet e saj me ‘acquis-in’, normat dhe standardet e BE-së, është reformuar, forcuar dhe përshtatur me standardet e BE-së dhe, për më tepër, Kosova nuk ka një plan B përveç anëtarësimit në BE.