RTSH
Presidenti i Shqipërisë, Bajram Begaj priti sot Kryetarin e Komitetit Ushtarak të NATO-s, Admiral Giuseppe Cavo Dragone. Gjatë këtij takimi, Presidenti Begaj e uroi Admiral Dragone për detyrën dhe e falënderoi për vizitën e tij të parë në rajon. Ai shprehu vlerësimin e tij për rolin dhe misionin e NATO-s, duke theksuar rëndësinë e pranisë së Aleancës në rajon dhe veçanërisht të KFOR-it në Kosovë.
Presidenti Begaj theksoi se është e nevojshme që vendet e rajonit të qëndrojnë të bashkuara për të gjetur zgjidhje të përbashkëta për paqen dhe sigurinë. Ai gjithashtu vuri në dukje mbështetjen për integrimin e Kosovës në organizatat ndërkombëtare dhe forcimin e bashkëpunimit të saj me NATO-n dhe iniciativat rajonale.
“Të jemi së bashku, të diskutojmë së bashku, të gjejmë zgjidhjet së bashku sepse vetëm nëse jemi të unifikuar dhe bashkë, ne do të jemi më të fortë. Paqja dhe siguria janë dy fjalë magjike jo vetëm për rajonin tonë në kohërat që po jetojmë. Ne duhet të punojmë fort për t’i garantuar ato”, tha Begaj.
Duke folur për angazhimet e Shqipërisë, Presidenti Begaj theksoi rritjen e buxhetit të mbrojtjes dhe modernizimin e Forcave të Armatosura, si dhe përfaqësimin e shtuar të Shqipërisë në misionet dhe operacionet e NATO-s.
“Është shumë i rëndësishëm investimi në projektet infrastrukturore, si Korridori VIII dhe porti i ri Porto Romano, të cilat realizojnë ndërlidhjen strategjike dhe rrisin lëvizshmërinë ushtarake”, tha Begaj.