RTSH
Është mbajtur për herë të parë Olimpiada e Përbashkët e Gjuhës Shqipe, Shqipëri- Kosovë, ku morën pjesë mbi 16 mijë nxënës të klasave të nënta në të dy vendet, ku u testuan për njohuritë e tyre mbi gjuhën dhe letërsinë shqipe.
Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Ogerta Manastirliu dhe ministrja e Arsimit, Shkencës, Teknologjisë dhe Inovacionit, Arbërie Nagavci kanë vlerësuar 84 nxënësit finalistë të Olimpiadës së Përbashkët Shqipëri- Kosovë, të cilët u shpallën fitues pas 3 fazave të para të olimpiadës.
Ministrja Manastirliu, nënvizoi se në këtë ditë Shqipëri-Kosovë bëhen bashkë për të festuar gjuhën shqipe, që është thelbi i identitetit të kombit shqiptar, duke nisur kështu një traditë që do të vazhdojë në vite.
“Sot është vërtet një ditë e bukur, pas një pune intensive të bërë nga të dy Ministritë e Arsimit, tashmë jemi në fazën finale të Olimpiadës së Përbashkët të Gjuhës Shqipe mes Shqipërisë dhe Kosovës. Jam vërtetë e kënaqur që pas përpjekjesh disa mujore ne ia kemi dalë që të përfundojmë një nismë të rëndësishme, e cila do të kthehet në një traditë të bukur, brez pas brezi, vit pas viti. Ne do të jemi së bashku në bashkëpunime që jo vetëm afrojnë nxënësit, brezat, na afrojnë së bashku Shqipëri- Kosovë, por ruajnë edhe për vlerat tona të përbashkëta sikurse është edhe gjuha jonë e bukur shqipe”, tha ministrja Manastirliu.
Ministrja Nagavci ka vlerësuar organizimin e Olimpiadës së Përbashkët të Gjuhës Shqipe për të lartësuar gjuhën shqipe.
“Ky aktivitet kaq i bukur ka dy qëllime kryesore, e para të intensifikojmë bashkëpunimin mes dy ministrive tona në fushën e arsimit dhe të krijojmë mundësi që nxënës nga Kosova e Shqipëria të jenë në aktivitete të përbashkëta dhe synimi kryesore është të vazhdojmë të punojmë për të lartësuar gjuhën e bukur shqipe. Jam e lumtur që jeni bërë pjesë e kësaj gare, të gjithë jeni fitues”, tha ministrja Nagavci.