Kryetari i Partisë Demokratike të Kosovës, Memli Krasniqi, ka deklaruar se subjekti që ai drejton është i gatshëm të marrë përgjegjësinë për formimin e qeverisë, në rast se Lëvizja Vetëvendosje si partia e parë dështon ta bëjë këtë.
Ai ka mohuar të kenë ftesë nga kryeministri në detyrë Albin Kurti për takim. “Ne jemi transparent dhe nëse kishim pranuar ftesë e kishit ditur deri tash”, tha fillimisht Krasniqi para medieve, pasi së bashku me bashkëpartiakët e tij shkoi në Kuvend për të kryer procesin e regjistrimit si deputetë të legjislaturës së nëntë.
Kreu i PDK-së ka thënë se janë në komunikim të vazhdueshëm me partitë opozitare dhe beson shumë që duke respektuar rendin kushtetues, në momentin që, siç tha ai, dështon potencialisht partia e parë në krijimin e qeverisë së re, atëherë ata shumë shpejt do të jenë të gatshëm t’i ofrojnë qytetarëve qeverinë e re.
I pyetur rreth çështjes së zgjedhjes së presidentit, pasi ndërlidhet shumë si proces për të mos e çuar vendin sërish në zgjedhje pas një viti, ai është shprehur: “Është shumë herët të flasim për presidentin. Edhe 11 muaj i kanë mbetur mandat presidentes aktuale. Sikur të merreshim vesh shpejt për formimin e qeverisë së re të udhëhequr nga Bedri Hamza, ma merr mendja që në proces janë 11 muaj që do të sillnin një situatë të re”.
Ai ka thënë se në rast të dështimit të Kurtit, si i pari në këto zgjedhje për ta formuar qeverinë, presidentja do të duhej ta ftonte PDK-në për krijimin e ekzekutivit.
“Ne e kemi të mandatuar Bedri Hamzën dhe jam i bindur që ai është përtej një figure partiake, është një figurë e pranueshme edhe për partitë e tjera dhe për qytetarët në përgjithësi”, tha Krasniqi, duke shtuar: “Jam i bindur se do t’i kishim arritur t’i vendosim interesat e vendit përtej interesave dhe kërkesave puropartiake që mund t’i kenë partitë”.
Krasniqi theksoi se si partin presin që në seancën konstituive, më 15 prill, të propozohet kryetari i Kuvendit nga partia fituese, ndërsa PDK do të propozojë nënkryetarët. Megjithatë, theksoi se PDK nuk e voton kryetarin, pasi sipas tij një gjë të tillë nuk e ka bërë as në të kaluarën. Ai ka thënë se Kuvendi asnjëherë nuk ka pasur telashe në votimin e kryetarit të kuvendit. “Pse ne duhet ta votojmë kryetarin e kuvendit. Nuk e kemi votuar as në dy herët e kaluara. Nuk është telashe të bëhen 61 vota për kryetarin”, ka nënvizuar ai.
Abdixhiku: Kushtetuta ia lejon mundësinë partive tjera për krijimin e shumicës
Nga ana tjetër, edhe kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka theksuar se nëse Vetëvendosja nuk arrin të krijojë shumicën parlamentare, Kushtetuta e Kosovës u jep të drejtë edhe partive të tjera që dëshmojnë se kanë numrat për formimin e qeverisë.
“Një kryetar i Kuvendit që si ka 61 vota për vete s’duhet të jetë kryetar fare. Pra, minimalisht duhet t’i ketë 61 vota, e pastaj shohim për gjërat tjera”, tha Abdixhiku i pyetur nëse në seancën e së martës do ta votojnë kandidatin e LVV-së për kryetar të Kuvendit.
Ndërkaq sa i përket mundësisë së përafrimit të qëndrimeve me partitë opozitare për krijimin e qeverisë së re, ai është shprehur: “Nuk jemi në atë fazë. Proceduralisht e dini që më 15 prill bëhet betimi. Më pas bëhet propozimi i kryetarit të Kuvendit. Konstituohet Kuvendi pas zgjedhjes së kryetarit dhe të Kryesisë. E njohim të drejtën e plotë të partisë së parë në këto zgjedhje që të provojë ta bëjë shumicën. Në qoftë se nuk e bën, pas 15 ditësh, Kushtetuta e Kosovës është shumë e qartë: i jep të drejtën secilës parti që dëshmon para presidentes që mund ta bëjë shumicën, ta bëjë një gjë të tillë. Nuk kemi mbërri në atë pikë. Do të jem po aq transparent dhe konsistent para jush edhe për këto çështje kur të mbërrijmë aty”, ka thënë ai.
Lëvizja Vetëvendosje ka siguruar 48 ulëse në Kuvendin e Kosovës, PDK 24, ndërsa LDK 20. Deri më tani nuk ka asnjë marrëveshje zyrtare për krijimin e shumicës parlamentare, ndërsa konstituimi i Kuvendit pritet të ndodhë më 15 prill.