Gjatë takimit me ministrin e Çadit, Abdoulaye Saber Fadoul, presidentja Osmani theksoi përkushtimin e Kosovës për të ndërtuar lidhje më të fuqishme me shtetin e Çadit, duke theksuar rëndësinë e bashkëpunimit në fusha me interes të përbashkët.

Ajo u shpreh se forcimi i marrëdhënieve bilaterale mund të realizohet përmes shkëmbimit të përvojave në procesin e shtetndërtimit dhe zhvillimit.

“Në Antalia, pata një takim produktiv me ministrin e Jashtëm të Çadit, Abdoulaye Saber Fadoul. Ne shprehëm mirënjohjen për mbështetjen e Çadit dhe kërkuam mënyra për të forcuar bashkëpunimin tonë në fusha të tilla si diplomacia, ekonomia, arsimi dhe bujqësia”, ka shkruar Osmani në “X”.

Ndërkaq në takim me ministrin e Punëve të Jashtme të Tanzanisë, Mahmoud Thabit Kombo u diskutuan mundësitë për të forcuar bashkëpunimin mes Kosovës dhe Tanzanisë, duke u fokusuar në fusha si ekonomia, tregtia, turizmi, bujqësia dhe teknologjia informative.

“Ne gjithashtu eksploruam shumë rrugë për bashkëpunim të bazuar në vlerat e përbashkëta dhe një vizion të përbashkët për zhvillim, paqe dhe prosperitet”, ka shkruar Osmani në X.