Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, në Ditën Memoriale të të Mbijetuarve të Dhunës Seksuale Gjatë Luftës, theksoi se “në këtë 14 prill si dhe në çdo ditë të vitit ne ngremë zërin tonë së bashku me Vasfijen, Shyhretën dhe çdo qytetar të Republikës së Kosovës, kundër dhunës, kundër një prej mjeteve më të llahtarshme që regjimi gjenocidal serb ka përdorur kundër popullit të Kosovës, dhunimin seksual gjatë luftës”.
E para e vendit po ashtu tha se mbi të gjitha ngremë zërin tonë për drejtësi, e siç tha ajo, drejtësia ka munguar përgjatë këtyre gati 26 vjetëve për të gjithë të mbijetuarit e dhunës seksuale gjatë luftës së fundit në Kosovë.
“Drejtësia po mungon akoma por kjo nuk do të thotë që veprimet tona, që përpjekjet tona do të mungojnë. Ne do të vazhdojmë t’i bashkojmë forcat me Vasfijen, Shyhretën si të deleguara të posaçme të presidencës për dhunën seksuale gjatë luftës por edhe për drejtësinë tranzicionale dhe zëri ynë ashtu siç është dëgjuar në Kosovë por në çdo cep të botës do të vazhdojë të dëgjohet edhe tash e tutje, zëri i të mbijetuarve dhe e vërteta e Kosovës është dëgjuar nga Kombet e Bashkuara në Parlamentin Evropian nga Amerika Latine në Afrikë e në çdo kontinent tjetër sepse është zëri i së vërtetës, sepse është shembulli i grave e burrave që nuk kanë lejuar që dhimbja t’i mposhtë por e kanë shndërruar në shembull të guximit, pamposhtjes dhe qëndrueshmërisë së popullit të Kosovë, është qëndrueshmëria e grave si Vasfija, Shyhretja dhe burrave që nga sot kanë dalë të flasin publikisht”, pohoi Osmani.