Në arsyetim thuhet se Kosova ka aplikuar për anëtarësim në BE dhe po bën përparim në reforma që forcojnë gjyqësorin dhe mbrojtjen e të drejtave themelore.
Gjithashtu theksohet se nuk ka rrezik që qytetarët e Kosovës të dëbohen apo të ekstradohen në vende ku mund të përballen me dënim me vdekje, torturë apo trajtim çnjerëzor.
“Komisioni propozon të përfshijë Kosovën, Bangladeshin, Kolumbinë, Egjiptin, Indinë, Marokun dhe Tunizinë në listën e parë të BE-së të vendeve të sigurta të origjinës. Lista është dinamike dhe mund të zgjerohet ose të rishikohet. Vendet mund të suspendohen ose hiqen nga lista nëse nuk i përmbushin më kriteret e vendeve te sigurta”, theksoi Markus Lammert, zëdhënës i KE.
Aktualisht, vetëm 16 shtete anëtare të BE-së e trajtojnë Kosovën si vend të sigurt. Propozimi i ri synon të unifikojë këtë status në të gjitha 27 vendet e BE-së.
Kjo do të ndikonte në mënyrën e trajtimit të kërkesave për azil nga qytetarët e Kosovës. Ato do të përpunohen më shpejt – brenda një periudhe maksimale prej tre muajsh.
“Propozimi ynë lejon procedura më të shpejta për ato kërkesa për azil që mund të jenë të pabazuara, duke përfshirë edhe procedurën kufitare. Kjo do ta bëjë sistemin tonë të azilit më të efektshëm, por nuk i heq mbrojtjet për azilkërkuesit”, tha Lammert.
Kosova gëzon liberalizmin e vizave nga një janari i vitit të kaluar. Sidoqoftë kanë vazhduar aplikimet për azil, nga të cilat gjatë vitit 2024, vetëm pesë për qind të janë miratuar.