“Nga veprimet paraprake hetimore të ndërmarra dhe komunikimet zyrtare të pranuara, ekziston dyshimi i arsyeshëm se dy zyrtarë policorë kanë dështuar në kryerjen e detyrave zyrtare dhe kanë treguar neglizhencë serioze në zbatimin e urdhëresës për arrestim,” thuhet në komunikatën e IPK-së.

Sipas hetimeve të IPK-së, një toger policor në pozitën e shefit të sektorit të operativës dyshohet se, ndonëse ka pasur dijeni për urdhëresën e lëshuar nga gjykata për arrestimin e të dyshuarit R.B, “nuk ka ndërmarrë veprime konkrete operative për lokalizimin dhe kapjen e personit të kërkuar”, thuhet më tej.

Po ashtu, një rreshter policor, i cili mbikëqyr njësinë ndërlidhëse për gjykatat, sipas IPK-së, “ka dështuar të raportojë me kohë dhe saktësi për urdhëresën për arrest, dhe dyshohet se nuk ka ndërmarrë hapat e nevojshëm për ekzekutimin e saj.”

Të dy zyrtarët janë rekomanduar për suspendim përkohësisht, përderisa hetimet vazhdojnë. IPK e konsideron këtë dështim si “cenim të besueshmërisë institucionale dhe bazë për procedim disiplinor dhe hetim të mëtejmë administrativ dhe penal.”

Në fund të komunikatës, Divizioni për Bashkëpunim dhe Informim i IPK-së thekson se veprime të tilla janë të domosdoshme për të garantuar përgjegjshmërinë dhe integritetin brenda radhëve të Policisë së Kosovës.