Vetëm 57 vota kanë qenë sërish për Albulena Haxhiun për kryeparlamentare që mbetet emri i vetëm që Vetëvendosje do të që jetë në krye të Kuvendit.

47 deputetë kanë votuar kundër, ndërkaq 3 kanë abstenuar. Në nisje të seancës që zgjati vetëm disa minuta, kryesuesi Avni Dehari u bëri thirrje partive që të ketë mirëkuptim e të zhbllokohet situata.

“Mua nuk më takon të imponoj votimin, por do të ishte mirë të kishte mirëkuptim të zhbllokojmë këtë situatë sepse me të vërtetë qytetarët po presin të krijohen institucionet e Republikës së Kosovës”.

Kur doli në foltore, ish-kryetari Glauk Konjufca, tha se propozimi i tyre mbetet i njëjtë, derisa kërkoi mirëkuptimin e të gjithëve për të kontribuuar drejt zgjidhjes së bllokadës.

“Ne sërish e bëjmë propozimin e njëjtë. Pra, emri ynë i vetëm është Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit të Kosovës. Kërkoj mirëkuptimin tuaj t’i kontribuoni zhbllokimit të kësaj situatë në të cilën kemi mbetur, në mënyrë që të kalojmë në faza tjera edhe të zgjedhjes së nënkryetarëve”, tha Konjufca.

Por, votimi solli të njëjtin rezultat edhe në të katërtën herë për Albulena Haxhiun, e cila nuk arriti t’i merrte 61 votat e nevojshme për t’u zgjedhur në krye të legjislativit.

Deputetët do të mblidhen sërish pas 48 orësh, më 27 prill nga ora 10:00.

Tentimi i gjashtë për konstituimin e Kuvendit të Kosovës|LIVE

Deputetët e zgjedhur të Kuvendit të Kosovës kanë nisur të mblidhen në sallën plenare të Kuvendit, në përpjekjen e gjashtë për konstituimin e këtij institucioni.

Ndryshe nga hera e shkuar kur paraprakisht kishte një takim konsultativ me partitë politike, para nisjes së seancës, këtë herë kryesuesi nuk pati një ftesë të tillë.

Vetëvendosje ka deklaruar se Albulena Haxhiu është sërish emri që do të propozohet për të qenë kryeparlamentare.

Deputetja Arjeta Fejza tha para gazetarëve se ndaj Albulena Haxhiut ka pasur sulme mbi baza personale e private, sipas saj, me elemente të theksuara seksiste mizogjene.

“Nëse hyjmë në analizë të karakterit, pikërisht këta burra që shkruajnë e ofendojnë cdo ditë kanë probleme vetë. Ata përfaqësojnë një mentalitet që është thellësisht patriarkal.Unë mendoj që kjo është një situatë që nuk është thjesht një luftë kundër Albulena Haxhiut, por një luftë kundër të gjitha grave të cilat në të ardhmen synojnë pozicione të rëndësishme shtetërore”, tha Fejza.

Deputetët opozitar Abelard Tahiri i PDK-së e Lahi Brahimaj i AAK-së kanë thënë se kanë qëndrimet e njëjta.

Tahiri tha se nëse nuk ka ndërruar qëndrimi i LVV-së edhe qëndrimi i PDK-së mbetet i njëjtë.

Ndërkaq Brahimaj i AAK-së tha se ata do të votonin për kryeparlamentare Saranda Bogujevcin ose Shqipe Selimin.

Por, Arbërie Nagavci e LVV-së tha se janë ata që zgjedhin e kryeparlamentarit dhe atë nuk mund ta përcaktojnë partitë tjera.

Armend Zemaj i LDK-së tha se konsensusi për ndonjë emër të përveçëm është i pamundur në këtë situatë.

“Ju e keni parë në vazhdimësi si  kanë trumbetuar që kanë numra të mjaftueshëm, dhe rezultati po del ndryshe”, tha Zemaj.

Fatmir Limaj i Nismës tha se qëndrimi dhe votimi i tyre do të jetë sikurse herët e kaluara.

Albulena Haxhiu nuk ka arritur për tri herë radhazi të marrë besimin e deputetëve për të qenë në krye të Kuvendit.

Lideri i AAK-së, Ramush Haradinaj tha se siç kanë deklaruar edhe më herët, ata do të votonin një kandidat konsensual.

“Ne i kemi gjetur dy emra, më shumë për të hapur rrugë e mundësi, me siguri ka edhe emra tjerë të pranueshëm”, tha ai.

I pyetur nëse janë të gatshëm për takime konsultuese, ai tha se janë të gatshëm për të marrë pjesë në takime, por, sipas tij, deri tash nuk ka ndodhur diçka e tillë.

Ndërkaq, Vlora Çitaku, nënkryetare e PDK-së tha se nuk është çështja a ka ndërruar qëndrim PDK-ja, por a ka ndryshuar qëndrim partia e parë. “Ata duhet të zhbllokojnë situatën” , tha Çitaku.

E deputetja nga komuniteti boshnjak, Duda Balje ka mohuar të ketë ndërruar qëndrim. Ajo ka thenë se mbetet prapa qëndrimit të partisë dhe votuesve të saj për të mos i dhënë votë kandidates aktuale për kryetare të Kuvendit. “Unë jam prapa qëndrimit që kemi marr ne si parti. Në emër të partisë time, unë nuk e ndryshoj qëndrimin”, tha ajo pak para fillimit të seancës