Sipas njoftimit gjatë takimit, Guvernatori Ismaili e informoi Kammer mbi zhvillimet më të fundit në sektorin financiar të Kosovës, duke përfshirë progresin në avancimin e kornizës ligjore dhe rregullative me synim forcimin e qëndrueshmërisë dhe integritetit të sistemit financiar. Ai gjithashtu prezantoi zhvillimet makroekonomike dhe progresin në implementimin e reformave strukturore, në përputhje me Planin Strategjik të BQK-së.

Kammer vlerësoi progresin e arritur nga BQK në ruajtjen e stabilitetit financiar dhe theksoi rëndësinë e thellimit të bashkëpunimit ndërmjet FMN-së dhe Kosovës, sidomos në fushat që ndihmojnë zhvillimin ekonomik dhe forcimin e funksionimit të sistemit financiar.

Guvernatori Ismaili vuri në dukje përfundimin me sukses të dy instrumenteve kyçe të bashkëpunimit me FMN-në – Marrëveshjes Stand-By (SBA) dhe Instrumentit për Reziliencë dhe Qëndrueshmëri (RSF) – të cilat kanë kontribuar ndjeshëm në zbatimin e reformave fiskale dhe strukturore, si dhe në ruajtjen e stabilitetit ekonomik të vendit.

Në diskutim u trajtuan gjithashtu masat konkrete të ndërmarra nga BQK për të fuqizuar kapitalizimin dhe reziliencën e sektorit bankar, në kontekstin e zhvillimeve të reja ekonomike dhe gjeopolitike globale.

Guvernatori Ismaili shprehu mirënjohjen për mbështetjen e vazhdueshme të FMN-së nëpërmjet asistencës teknike dhe programeve të ndryshme, të cilat kanë ndihmuar në forcimin e kapaciteteve institucionale të BQK-së.

Në përfundim, të dyja palët riafirmuan përkushtimin për të vazhduar bashkëpunimin në funksion të përmbushjes së objektivave të përbashkëta për zhvillim të qëndrueshëm ekonomik dhe ruajtje të stabilitetit financiar në Kosovë.