Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani, ka takuar sot presidentin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, dhe Zonjën e Parë, Melania Trump, në Vatikan, ku ishin të pranishëm për ceremoninë e varrimit të Papa Françeskut. Pas takimit, presidentja Osmani është shprehur përmes një postimi në rrjetin social “X”, ku theksoi miqësinë e ngushtë dhe historike mes Kosovës dhe SHBA-ve.
“Shtetet e Bashkuara mbeten aleati më i fortë dhe më i rëndësishëm i Kosovës. Gjithmonë është kënaqësi të takoj presidentin Donald Trump dhe t’i përcjell dashurinë dhe mirënjohjen e thellë të popullit të Kosovës për Amerikën. Ne jemi të përkushtuar për ta forcuar aleancën tonë më shumë se kurrë më parë,” ka thënë Osmani.
Ajo gjithashtu i ka uruar ditëlindjen Zonjës së Parë, Melania Trump, duke e përgëzuar për angazhimin e saj në mbrojtjen e fëmijëve dhe të rinjve përmes iniciativave humanitare.
Takimi në Vatikan ishte në një moment solemn, ku udhëheqës botërorë janë mbledhur për t’i dhënë lamtumirën Papës Françesku.