Policia e Kosovës ka bërë të ditur se e ka gjetur një automjet i cili ishte raportuar si i vjedhur në Zubin Potok.
“Pas hetimeve intensive, njësia e hetimeve e Stacionit Policor Zubin Potok, pas informatave te pranuara nga rrugë operative, si dhe në bashkëpunim edhe me ankuesin ka identifikuar personin e dyshuar V.K, 22 vjeç, si dhe e ka vërtetuar vendndodhjen e automjetit të vjedhur në një fshat të komunës Ribariç në Sërbi, të cilën ankuesi pastaj kishte shkuar dhe e kishte marrë”, thuhet në njoftim.
Rasti i vjedhjes ishte raportuar se ka ndodhur në natën mes datës 19 dhe 20 prill të këtij viti, ku vetura ishte vjedhur në oborrin e shtëpisë së ankuesit në Zubin Potok.
Tutje theksohet se të gjitha veprimet e ndërmarra i janë prezantuar Prokurorit të Shtetit i cili ka urdhëruar që personin e identifikuar si të dyshuar ta fusim në stop-listë pasi që është në interes të policisë që i njëjti të intervistohet.
Policia e Kosovës ka apeluar tek të gjithë qytetarët pa dallim që të raportojnë çdo informacion të dyshimtë që mund të ndihmojë në parandalimin dhe zgjidhjen e rasteve.