Në njoftimin e Prokurorisë, thuhet se e akuzuara në cilësinë e zyrtares së lartë për Planifikim pranë Drejtorisë së Urabizmit dhe Planifikimit Hapësinor në Komunën e Prizreneit, i lejoi ndryshmin e projektit një investuesi, për të cilin ishte dhënë leje ndërtimore, raporton “Betimi për Drejtësi“.

“Sipas aktakuzës, e pandehura Sh.O.K., si person zyrtar – Zyrtare e Lartë për Planifikim pranë Drejtorisë së Urbanizimit dhe Planifikimit Hapësinor të Komunës së Prizrenit, duke shfrytëzuar detyrën dhe autoritetin zyrtar, tejkalon kompetencat e saj me qëllim që të përfitoj çfarëdo dobie për vete ose për personin tjetër, duke i shkaktuar dëm personit tjetër – të dëmtuarit, E.S., në atë mënyrë që investuesit M.B-B. SH.P.K, me pronar, M.R., i lejon ndryshimin e projektit për të cilin është dhënë leja ndërtimore, “Banim Kolektiv, Afarizëm dhe Administratë me Etazhitet 2B+P+5+PH’’, në Prizren, ku në bazë të Super Ekspertizës së punuar nga U.P. “Hasan Prishtina” – Fakulteti i Arkitekturës, është konstatuar se e pandehura ka vepruar në kundërshtim me Lejen Ndërtimore, Kushtet Ndërtimore dhe normativën ligjore. Ashtu që, sipërfaqja e zgjeruar është 15.96% dhe përfitimet e investitorit nga siperfaqja shtesë janë orientimisht 154.220 euro në total”, thuhet në njoftim.

Sipas njoftimit, me këto veprime, Sh.O-K., akuzohet se ka kryer veprën penale “Keqpërdorimi i pozitës apo autoritetit zyrtar” nga neni 414, paragrafi 2 lidhur me paragrafin 1, të Kodit Penal.

“Prokurori i çështjes me rastin e ngritjes së aktakuzës, i ka propozuar gjykatës që pas mbajtjes së shqyrtimit gjyqësor, administrimit të provave dhe vlerësimit të tyre, e pandehura e lartcekur për veprën penale për të cilën akuzohet të shpallet fajtore dhe të dënohet sipas ligjit”, thuhet në njoftim.

Gjithashtu, bëhet e ditur se prokurori i çështjes i ka propozuar Gjykatës, që të pandehurës së bashku me dënimin kryesor t’i shqiptojë dënimin plotësues – Ndalimi i ushtrimit të profesionit, veprimtarisë ose detyrës.