Lidhja Demokratike e Kosovës e ka refuzuar ftesën për takim të bërë nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti.
Nënkryetarja e LDK-së, Hykmete Bajrami, tha për RTK se askush nga LDK-ja nuk do të marrë pjesë në këtë takim.
“Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës Lumir Abdixhiku ka pranuar një letër nga kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje/deputeti Albin Kurti. Megjithatë, as kryetari Abdixhiku dhe askush nga Lidhja Demokratike e Kosovës nuk do të merr pjesë në këtë takim. Pozita e nënkryetarit të Kuvendit që i takon Lidhjes Demokratike të Kosovës është në bazë të rezultatit zgjedhor, dhe nuk është objekt diskutimi me asnjë parti tjetër. Për me tepër nënkryetarët votohen në pako nga Kuvendi, sipas praktikës së deritanishme”, ka thënë Bajrami.
“Ndërsa zgjedhja e kryetarit të Kuvendit është çështje e marrëveshjes politike mes partive që synojnë të krijojnë shumicën dhe Lidhja Demokratike e Kosovës tashmë e ka bërë të qartë se nuk është e interesuar për një marrëveshje të tillë”, ka shtuar ajo.