Sindikata e Policisë së Kosovës thotë se me shqetësim të vazhdueshëm, ka ndjekur siç kanë thënë ata praktikat e fundit të raportimit mediatik dhe publik në lidhje me pjesëtarët e Policisë së Kosovës, sidomos në raste tragjike ose incidente që janë ende nën hetim.
“Së pari, dëshirojmë të theksojmë rastin e Rreshterit Afrim Bunjaku, i vrarë më 24 shtator 2023 gjatë një sulmi terrorist në Veri të vendit. Deklarimi i fundit në një medium publik të vendit nga gazetari Branislav Kërstiq, që mohon rënien e heroit, është i papranueshëm dhe përbën fyerje të rëndë ndaj kujtimit të tij dhe ndaj sakrificës së heroit, rreshterit Afrim Bunjaku”, thuhet ndër të tjera në reagimin e Sindikatës së Policisë së Kosovës.
Po ashtu, kanë përmendur edhe vrasjen e rreshterit, Muhamet Lika, në krye të detyrës dhe sipas tyre tentativa e fundit për ta përfshirë në teori konspirative rreth vrasjes së tij, përbën përpjekje të papranueshme për devijimin e hetimeve dhe njollosjen e figurës së tij dhe të institucionit që ai i shërbeu me nder.
“Një tjetër shqetësim serioz që duam ta ngrisim si Sindikatë e Policisë së Kosovës është publikimi i menjëhershëm në media dhe rrjete sociale i emrave dhe fotografive të pjesëtarëve të Policisë të përfshirë në ndonjë rast, ndërkohë që proceset hetimore nuk kanë përfunduar. Më pas, kur zyrtari policor shpallet i pafajshëm, mungon një reagim i njëjtë publik për ta pastruar emrin e tij. Kjo ka shkaktuar ndjesi padrejtësie dhe pasigurie te shumë pjesëtarë policorë, të cilët ndihen të ekspozuar ndaj bullizmit dhe gjykimeve të menjëhershme publike”, thuhet ndër të tjera në reagimin e tyre.
Kanë thënë se qëllim i tyre nuk është të kufizojnë lirinë e mediave, të cilat sipas tyre, kanë rol kyç në një shoqëri demokratike, por kanë bërë thirrje për përgjegjësi, etikë dhe kujdes në raportim, sidomos kur bëhet fjalë për figura të sigurisë që ende nuk kanë kaluar nëpër një proces të plotë hetimor apo gjyqësor.
“Kërkojmë që, nëse ndonjë zyrtar shfaqet në media pa të drejtë dhe më pas shpallet i pafajshëm, të bëhet demant publik dhe korrekt, me të njëjtin intensitet me të cilin është dhënë lajmi fillestar”, ka qenë kjo kërkesa e Sindikatës së Policisë në reagimin e tyre drejtuar mediave.