Kryesuesi i seancës, Avni Dehari kërkoi nga subjektet politike që nuk propozuan kandidatë për Komisionin për votim të fshehtë në vazhdimin e seancës së kaluar ta bëjnë një gjë të tillë sot.

Por, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi i kërkoi kryesuesit që përkundër presionit të partisë së tij të mos bëhet pjesë e shkeljes së rregullores. “Mos e bëni cirk Kuvendin”, tha ai teksa kryesuesi e paralajmëroi se nuk ka debat dhe ia ndali mikrofonin. LDK edhe këtë herë spati propozim, ashtu sikurse edhe Lista Serbe mbajti të njëjtin qëndrim dhe nuk propozoi kandidat.

Në sallë ishin të pranishëm 106 deputetë. Në votimin për komision 54 vota ishin për, 1 kundër dhe asnjë abstenim, por deputetët e tjerë nuk morën pjesë fare në votim.

Si rrjedhojë kryesuesi i kuvendit tha se është i obliguar që ta ndërpresë seancën për mungesë kuorumi. Ai tha se seanca vazhdon të hënën në orën 10:00.

Murati: Uroj të ndryshojë qëndrim opozita

Deputeti i Lëvizjes Vetëvendosje, Hekuran Murati, në prag të vazhdimit të seancës ka shprehur shpresën se sot do të ketë ndryshim qëndrimi nga ana e PDK-së, LDK-së, AAK-së e Nismës dhe të votohet kryeparlamentari.

“Uroj që të ndërrojë qëndrim opozita në mënyrë që të zhbllokohet procesi”, ka thënë shkurtimisht ai në hyrje të kuvendit.

Kurti, Krasniqi e Abdixhiku nuk deklarohen për media, Haxhiu thotë se për votat duhet pyetur opozitën

Kryeministri në detyrë, Albin Kurti, kryetari i PDK-së, Memli Krasniqi, kryetari i LDK-së, Lumir Abdixhiku dhe deputetja e propozuar për kryeparlamentare, Albulena Haxhiu kanë hyrë në Kuvendin e Kosovës. Kurti, Krasniqi e Abdixhiku nuk janë deklaruar për media, derisa Haxhiu e pyetur nëse sot i ka votat, teksa po ecte tha shkurt: “Pyeteni opozitën”.

Tentimi i dhjetë për konstituimin e Kuvendit

Sot në orën 10:00 deputetët e Kuvendit të Kosovës do të mblidhen sërish në sallën e këtij institucioni në tentimin e dhjetë për konstituimin e legjislaturës së nëntë.

Ashtu sikurse në nëntë përpjekjet e kaluara, edhe kësaj radhe njohësit e politikës nuk presin ndonjë lëvizje pozitive drejt konsolidimit të Kuvendit, duke i parë qëndrimet e partive.

Kandidatja për kryekuvendare nga Lëvizja Vetëvendosje, Albulena Haxhiu deri më tash nuk ka arritur të marrë votat e nevojshme të deputetëve për t’u ulur në karrigen kryesore të këtij institucioni.

Në përpjekjen e nëntë, Lëvizja Vetëvendosje propozoi që votimi të bëhet në mënyrë të fshehtë, por ky propozim u atakua nga partitë e tjera, të cilat e vlerësuan një tentim të tillë si shkelje të rregullores së Kuvendit dhe si rrjedhojë seanca u ndërpre për të vazhduar pas 48 orëve, ashtu siç e parasheh Kushtetuta e vendit.