Në vitin 1993, Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, bazuar edhe në nenin 19 të “Deklaratës së të Drejtave të Njeriut” mbi lirinë e shprehjes, shpalli 3 Majin si Ditën Ndërkombëtare të Lirisë së Shtypit. Kjo ditë shënohet çdo vit në mbarë botën.
3 maji, sipas Kombeve të Bashkuara, shërben për të nënvizuar parimet themelore të lirisë së shtypit si dhe për të vlerësuar këtë liri në mbarë botën. Gjithashtu në këtë ditë theksohet rëndësia e mbrojtjes së mediave nga sulmet ndaj lirisë së tyre dhe nderohen gazetarët.
Raporti i publikuar të premten nga Reporterët pa Kufij ka treguar se Kosova ka pësuar një regres të ri, duke rënë edhe për 24 vende në renditje.
Tani Kosova ka rënë në vendin e 99 në renditje totale.

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës dhe partitë që ishin në opozitë legjislaturën e kaluar e akuzuan Qeverinë Kurti se veprimet e saj kundër mediave bënë që Kosova të renditet e 99-ta nga 180 shtete. Ndërkaq, Qeveria në detyrë i kontestoi gjetjet dhe vlerësimin e Reporterëve pa Kufij për lirinë e medias në Kosovë, duke thënë se në Kosovë nuk ka mungesë të lirisë së shtypit, por rënie të standardit të mediave.