Deputeti i Vetëvendosjes, Hekuran Murati, pas dështimit të sotëm të konstituimit të Kuvendit të Kosovës, tha se VV ka bërë çmos për të dalë nga ky ngërç edhe përmes votimit të fshehtë.
Ai tregoi se dje në Bundestagun Gjerman Friedrich Merz u zgjodh kancelar i Gjermanisë përmes një votimi të fshehtë.
Po ashtu, tha se kemi raste në Kosovë kur edhe pozita e presidentes është zgjedhur në mënyrë të fshehtë, edhe në ansamble komunale kryesuesi është zgjedhur me votim të fshehtë.
“Pra nuk është temë tabu votimi i fshehtë, për më tepër është i lejuar, parashihet me Kushtetutë dhe me Rregulloren e Punës së Kuvendit”, tha Murati.
Po ashtu, ai tha se pajtohemi që nuk është rregulli të votohet në mënyrë të fshehtë çdoherë për Kryesia e Kuvendit, por “besoj se pajtoheni që është situatë përjashtuese, nuk është në rregull të mbahen 12 vazhdime të seancave dhe të mos ketë vendimmarrje për këtë çështje, prandaj jemi detyruar të japim propozim që të ofrojmë zgjidhje”.