Bashkimi Evropian shpreh keqardhje pse presidenti serb Aleksandar Vuçiq ka udhëtuar në Rusi, ndërsa kërkohet nga shteti serb që të deklarohet se cili është orientimi i vendit.
“Ne shprehim keqardhje të thellë për udhëtimin e udhëheqjes serbe në Moskë dhe pjesëmarrjen në festimet e Luftës së Dytë Botërore që Rusia po e shfrytëzon për propagandë. Serbia duhet të na sigurojë për orientimin e saj strategjik drejt BE-së dhe të demonstrojë një angazhim të besueshëm ndaj vlerave evropiane”, thuhet në një përgjigje me shkrim nga zyra e shtypit e BE-së.
Në këtë përgjigje nënvizohet sërish se Brukseli ka porositur disa herë se marrëdhëniet me Rusinë nuk mund të jenë “biznes i zakonshëm” me regjimin e Putinit dhe në hijen e luftës së paprovokuar dhe të pajustifikuar të agresionit të Rusisë kundër Ukrainës.
“Ne duhet të përmbahemi nga dhënia e legjitimitetit luftës së agresionit të Putinit. Për të treguar mbështetje për paqen, Kievi është vendi i duhur për të qenë më 9 maj, jo Moska”, porositet nga Brukseli.