Presidentja ka thënë se njohja reciproke është fokusi kryesor për Kosovën në dialogun me Serbinë. Ajo ka thënë se pjesëmarrja e presidentit serb, Aleksandër Vuçiq, në paradën ushtarake në Moskë të Rusisë, nënkupton sfidim për qëndrueshmërinë e Evropës.

“Vizita e tij në Moskë nuk mund të shihet në asnjë dritë tjetër përveçse një akt i qartë politik që sfidon edhe vetë qëndrueshmërinë dhe stabilitetin e Evropës. Nëse një vend pretendues për të qenë anëtar sillet kështu dhe nuk ballafaqohet me asnjë masë, lidershipi i atij vendi, atëherë pyetja lind natyrshëm se çfarë mesazhi po i jepet rajonit tonë”, ka thënë ajo.

Osmani ka potencuar se, për dallim nga Serbia që BE është një nga opsionet, për Kosovën ajo është rruga e vetme.

“Nëse për dikë në këtë rajon BE është njëri nga opsionet, ju siguroj se për Republikën e Kosovës dhe popullin tonë BE ka qenë rruga e vetme dhe e parë. Nuk do të duhej një gjë e tillë të merrej si e mirëqenë, sepse me kë qëndrojmë, për çka qëndrojmë, me kë linjëzohemi sa i përket politikave, kë mbështesim dhe me kë bashkëpunojmë – këto gjëra do të duhej të kishin rëndësi për një shtet që aspiron anëtarësimin në BE”, ka thënë Osmani, drejtuar presidentit Costa.

Osmani: Kosova është gati për integrim evropian, BE të heqë sanksionet

Ajo ka thënë se vizioni i Costas për zgjerimin e Bashkimit Evropian është më i domosdoshëm se kurrë, specifikisht në një kohë kur zhvillimet politike dhe të sigurisë globale janë të paparashikueshme.

“Kosova është gati të ecë përpara në rrugën e saj të integrimit evropian. Institucionet tona po fuqizohen gjithnjë, vit pas viti. Qytetarët tanë, pa asnjë dyshim, janë më pro-evropianët në tërë rajonin dhe në tërë kontinentin tonë. Nëse integrimi evropian është një rrugë që kërkon besim, përkushtim dhe durim, atëherë është koha që kjo të reflektohet përtej fjalëve, por edhe me vepra konkrete sa i përket integrimit tonë,” ka thënë ajo.

Osmani ka kërkuar trajtimin me prioritet të aplikimit për anëtarësim të Kosovës, dokument ky i dorëzuar në dhjetor të vitit 2022. Ajo ka potencuar gjithashtu mosnjohjen e shtetësisë së Kosovës nga pesë vendet anëtare të BE-së, duke kërkuar që ta trajtojnë si çështje strategjie dhe se s’mund të ketë stabilitet rajonal e as një Evropë të lirë e të bashkuar, në qoftë se dikush mbetet peng i pranimit të një realiteti – pavarësinë dhe lirinë e Kosovës.

“Këtë verë po bëhen dy vite prej vendimit për vendosjen e masave. Çdo minutë më shumë me masat në fuqi është një minutë më shumë padrejtësie, por edhe një minutë më shumë larg jetësimit të ëndrrës evropiane të gjithë qytetarëve tanë pa dallim etnie, dhe një vonesë më shumë të projektit të zgjerimit bazuar në merita,” ka thënë Osmani.