“Sonte, Kryeqyteti do të fillojë largimin e mbeturinave. Sabotazha nuk kalon!”, ka thënë Kryetari Rama në një deklaratë të tij. Ai ka akuzuar menaxhmentin e ndërmarrjes “Pastrimi” për keqpërdorim të fondeve publike dhe për sabotimin e shërbimeve për qytetarët. Sipas tij, Komuna e Prishtinës ka investuar shuma të mëdha për mbështetje, duke përfshirë 11.5 milionë euro në hyrat direkte, 1.4 milionë euro për blerjen e kamionëve të rinj të pastrimit, dhe 400,000 euro në subvencione shtesë.

“Megjithatë, përkundër kësaj përkrahjeje të jashtëzakonshme, menaxhmenti i ‘Pastrimi’-t ka keqpërdorur paranë publike për rritje pagash të menaxhmentit dhe punësime të panevojshme dhe të motivuara politikisht,” shtoi ai.

Kryetari Rama theksoi gjithashtu se seanca e jashtëzakonshme për subvencionimin e pagave të punëtorëve të ndërmarrjes, e cila ishte thirrur për 13 maj 2025, ka dështuar për shkak të mospjesëmarrjes së opozitës. “Për fat të keq, kjo seancë dështoi për shkak të mospjesëmarrjes së qëllimshme të opozitës,” tha Rama, duke u shprehur i zhgënjyer nga veprimet e opozitës.

Kryetari i Prishtinës gjithashtu ka sqaruar se deklaratat e menaxhmentit të “Pastrimi” për borxhin prej 2.7 milionë euro ndaj Komunës janë të pavërteta. “Komuna e Prishtinës ka ZERO borxh ndaj ndërmarrjes ‘Pastrimi’,” theksoi ai.

“Situata e krijuar si rrjedhojë e mosofrimit të shërbimeve nga ndërmarrja “Pastrimi”, që rrezikon shëndetin publik në kryeqytet, do të përfundojë menjëherë,” ka deklaruar Rama, duke shtuar se Komuna do të shfrytëzojë mekanizmat alternativë për të përmirësuar situatën dhe për të siguruar që qytetarët të marrin shërbim të denjë.

Ai ka njoftuar se Komuna e Prishtinës është duke shqyrtuar mundësitë ligjore për të parandaluar situata të ngjashme në të ardhmen dhe për të mbrojtur interesat e qytetarëve.

“Qytetarët e Prishtinës meritojnë shërbim të denjë – jo shantazh politik!” ka përfunduar ai.

Ndryshe, dje Kompania Rajonale e Mbeturinave “Pastrimi SH.A.” ka njoftuar se është detyruar të ndërpresë ofrimin e shërbimit të grumbullimit të mbeturinave në territorin e Komunës së Prishtinës.

Përmes një njoftimi zyrtar, KRM bën të ditur se arsyeja e kësaj ndërprerjeje është mospagesa e borxhit nga Komuna e Prishtinës, borxh që kap vlerën e 2.7 milionë eurove.

Ndërsa Komuna e Prishtinës dhe Ndërmarrja “Pastrimi” vazhdojnë të heqin dorë nga përgjegjësia dhe të hedhin fajin njëra-tjetrës, qyteti po përballet me një situatë alarmante. Mbeturinat janë përhapur nëpër rrugët e kryeqytetit, duke i bërë ata një pamje të pakëndshme dhe duke rrezikuar shëndetin publik.