Në konferencë për media, të enjten u prezantuan 19 rekomandime të nxjerra nga ky raport, 6 prej tyre me prioritet.

“Së pari, fuqizimi i masave mbrojtëse ligjore sa u përket anëtarëve dhe sjelljes së zyrtarëve të zgjedhjeve për të siguruar paanshmërinë e administrimit të zgjedhjeve.

Së dyti; të specifikohen më tej përgjegjësitë e KQZ-së, sekretariatit dhe të komisioneve komunale zgjedhore.

Së treti: të zhvillohet një auditim gjithëpërfshirës dhe i pavarur i listës së votuesve.

Katër; të aplikohen definicione të qarta të temave kyçe ligjore.

Pesë; të emërohen të gjithë anëtarët e KPM-së me kohë.

Gjashtë; të krijohet një sistem i besueshëm dhe transparent i menaxhimit të rezultateve”, ka thënë Nathalie Loiseau – shefe e misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë.

Loiseau kritikoi sjelljen ndaj mediave, duke theksuar se kërcënimet dhe sulmet ndaj gazetarëve nuk janë pjesë e demokracisë.

“Fushata ka qenë dinamike dhe kemi vërejtur një rritje të pluralizmit politik. Por periudha dinamike e fushatës në njëfarë mënyre u njollos nga retorika e ashpër dhe gjuha nxitëse. Ne kemi vëzhguar raste të ndërhyrjeve të huaja në procesin zgjedhor. Kemi marrë po ashtu raporte për presion mbi votuesit në zonat me shumicë serbe. Kemi vërejtur politizim të institucioneve kyçe të përfshira në zgjedhje. KQZ dështoi fillimisht ta certifikojë Listën Serbe për zgjedhje dhe për të aprovuar financimin e partive me kohë”, ka shtuar Loiseau.

Raportin përfundimtar me rekomandimet, shefja e misionit vëzhgues të BE-së në Kosovë, Nathalie Loiseau, ua ka dorëzuar presidentes Vjosa Osmani dhe kryeministrit në detyrë, Albin Kurti.