Presidentja Vjosa Osmani ka thënë se do të kërkojë balancë dhe barazi në trajtimin e BE-së ndaj Kosovës dhe Serbisë. Ajo ka potencuar se më shumë po hapet dera e integrimit evropian ndaj Serbisë, që ka raporte të ngushta me Rusinë, sesa ndaj Kosovës që sheh BE-në si opsionin e vetëm.
“Kam më shumë pritshmëri për sa i përket një lloj balanci nga ana e BE-së sepse siç e dini, Kosova është nën masa, Serbia nuk është. Kjo e prish balancin në tryezën e dialogut. Kam më shumë shpresë që edhe nga zonja Callas edhe nga përfaqësuesi i ri për dialogun, do të shtyhet më shumë përpara heqja e masave dhe trajtimi i barabartë i palëve”, ka thënë ajo para mediave në Tiranë.
Osmani ka përmendur pjesëmarrjen e Serbisë në paradën ushtarake të Moskës, duke thënë se ky shtet nuk ka marrë asnjë sanksion në këtë drejtim.
“Sa i përket Republikës së Kosovës, pavarësisht faktit që jemi 100% të linjëzuar me politikën e jashtme dhe atë të sigurisë së BE-së, fatkeqësisht ka një bllokadë totale. Nga ana e BE-së nuk vlerësohet reforma, nuk vlerësohet puna jonë, nuk vlerësohet fakti që jemi 100% të linjëzuar me politikat e tyre. Sa i përket sanksioneve ndaj Rusisë dhe politikave të tjera, për fat të keq po i jepet një mesazh shumë i keq për rajonin tonë sepse më shumë po hapet dera për ata që shkojnë në Moskë dhe te Putini, sesa për ne që nuk shohim rrugë dhe alternativë tjetër përveç BE-së”, ka thënë Osmani.
Ajo ka thënë se pjesëmarrja e Vuçiqit në këtë paradë, nga disa shtete anëtare të BE-së është përcjellë “me reagime të ashpra, ndërkaq nga disa pati qëndrim arsyetues që është jashtëzakonisht dëmtuese për gjithë rajonin”. Ka ripotencuar se Kosova meriton heqjen e masave sanksionuese nga BE.
“Të gjitha kërkesat që BE i ka bërë në raport me heqjen e masave ndaj Kosovës ne i kemi plotësuar. Në qershor bëhet një vit, që edhe vet përfaqësuesi i BE-së kërkojnë gjëra absurde. Kërkojmë de-eskalim, në fakt ne nuk jemi ata që kemi eskaluar situatën, por edhe pse nuk e kemi krijuar atë situatë në veri të Kosovës, Kosova ka ndërmarrë hapat që janë kërkuar nga Marrëveshja e Bratislavës. Edhe vet zotëri Borrell, ka propozuar të hiqen masat duke u bazuar në plotësimin e kritereve”, ka thënë ajo.
Osmani është pyetur edhe për takimin e mundshëm me presidentin serb, Aleksandër Vuçiq
“Me Vuçiqin nuk ka asnjëherë takime dy palëshe në këtë samit. Siç e dini ato zhvillohen në Bruksel. Ky është një forum multirateral, ku ne synojmë më shumë të takohemi me liderët e tjerë, sidomos ata që duhet t’i bindim t’i heqin masat e padrejta ndaj Kosovës”, ka thënë ajo.
Ajo ka uruar Shqipërinë dhe kryeministrin Edi Rama për nikoqirllëkun e ngjarjes, teksa ka thënë se është e rëndësishme të dilet nga ngjarja me një plan konkret për ecjen drejt Evropës.
“Kërkesat tona do të jenë të zëshme, jo për shkak të ndonjë arrogance politike por sepse e meritojmë. Ne kërkojmë që ky proces të jetë i bazuar në merita. Ndërkaq sa i përket konkluzioneve, samiti është se nuk ka konkluzione të forta politike, megjithatë është e rëndësishme që kur jemi të barabartë të bëjmë kërkesa”, ka thënë presidentja.