Nga Aleksandër Çipa
Kaloi në heshtje…. , edhe kësaj here Ukshin Hoti. I madhërishëm u shfaq dhe madhërisht sfidues, humbi …, si qenie fizike, duke vijuar lartësimin në paharresë.
Intelektual dhe qytetar i lartësisë mendore për ardhmërinë e duhur të kombit.
Bijtë e mendimit, kombi ynë i ka pas dhe fatkeqësisht, i ka të paktë. Disa prej tyre, në kohë të ndryshme, vijueshmërisht nuk i ka pasur në fatin e dashjes dhe kujdesit institucional. Njerëzit e thjeshtë i kanë dash dhe respektuar në mënyrën e tyre shembullore. Kanë dhënë dashuri dhe mbartin mishërueshëm për ta, kujtesë e mirënjohje.
Por për Ukshin Hotin, se cka një heshtje tinzare mosvlerësimi sa meriton…!
Ka dicka që refuzohet në mënyrën zyrtare me heshtje dhe kapërcim moskujtese…
Ka dy dekada që nuk i gjendet varri dhe ka kaq kohë, që ka paftësi ndërshtetërore për t’i gjetur eshtrat.
Pse të ndodhë kjo?
Ukshin Hoti mori një status vizionari për shkak të sendërtimit në lëndë shkrimore dhe ligjerime të filozofisë së cështjes shqiptare.
Si në vijimësi të Rilindjes sonë kombëtare ai vizionoi në shekull të ri dhe mbrothësi të domosdoshme, bashkimin kombëtar dhe rinjëjtësimin shqiptar në hapësirën tonë të ndarë.
Për këtë shkak, e duan të humbur.
E duan të pagjendshëm…
E duan të moskujtuar…
Vecmas një majë e lartë, e vetmja në atë lartësi, e la të përkujtueshëm Ukshin Hotin në shumë të ardhme të paardhura: Kadareja.
Në librin e tij “ Bisedë përmes hekurash”, (atë dialog unik), lanë për lexuesit e sotëm dhe të ardhëm, jo thjesht një brengë të Shqipërisë së pabërë ( është fjala për të gjithën), por një projekt që edhe kur nuk gëzon dakordësitë shqiptare mbart bekimin e pakthyeshëm të Zotit.
Ukshin Hoti na imponon kujtesë edhe pse nuk ia japim dhe nuk ia shtojmë si detyrim që ia kemi, ne dhe pasardhësit.
Në vendin e tyre shenjtorët gjuhen me gurë…., në këtë rast me heshtje!