Kallas do të udhëtojë edhe në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut gjatë vizitës së saj të dytë në rajon, ka njoftuar Brukseli.

“Në Kosovë, përfaqësuesja e Lartë Kallas do të takohet me përfaqësues të partive politike dhe të organizatave të shoqërisë civile”, thuhet në një njoftim të BE-së.

Ajo do të mbajë një konferencë për shtyp në Shtëpinë e Evropës më 22 maj në ora 15:45, e transmetuar drejtpërdrejt në EBS.

Përfaqësuesja e Lartë Kallas do të vizitojë Misionin e Bashkimit Evropian për Sundimin e Ligjit në Kosovë (EULEX). Ajo do të takohet edhe me komandantin e KFOR-it Enriko Barduani.

Kallas do ta vizitojë Kosovën në kohën kur autoritetet kosovare po përsërisin thirrjet për heqjen e masave ndaj vendit nga ana e BE-së, madje kanë kërkuar që kjo të ndodhë para vazhdimit të dialogut për normalizim marrëdhëniesh me Serbinë.