Policia ka theksuar se operacioni është zhvilluar nga zyrtarët e Drejtorisë Kundër Terrorizmit në bashkëpunim të ngushtë me Prokurorinë Speciale të Kosovës.

“Operacioni policor ka përfshirë dy raste të ndara që kanë rezultuar me tri kontrolle të vendbanimeve në komunat e Fushë-Kosovës dhe Malishevës, si dhe me arrestimin e dy personave të dyshuar”, theksohet në njoftim.

Sipas policisë, të arrestuarit dyshohet se kanë shpërndarë propagandë dhe ideologji të organizatave terroriste përmes rrjeteve sociale, si dhe kanë nxitur urrejtje dhe përçarje ndërmjet komuniteteve.

Policia ka bërë të ditur se veprimet e mëtejme ligjore do të ndërmerren në koordinim të plotë me organet e drejtësisë.