Në këtë tubim përkujtimor kanë marrë pjesë përfaqësues të institucioneve qendrore dhe lokale. Në mesin e pjesëmarrësve ka qenë edhe kryeministri në detyrë, Albin Kurti, ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu dhe deputeti Nait Hasani.

Po ashtu në këtë tubim përkujtimor kanë marrë pjesë edhe të mbijetuarit e kësaj masakre.

Ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka theksuar se drejtësia për masakrën e Dubravës është borxh që shteti ua ka viktimave, familjarëve dhe vetë të ardhmes sonë si shoqëri.

“Ndër aktet më çnjerëzore të regjimit serb ndaj shqiptarëve të Kosovës, ishte masakra në burgun e Dubravës. Të burgosurit, të pambrojtur, të shtrënguar pas mureve të larta të një burgu,  u shndërruan në shënjestra të një masakre të planifikuar dhe të pamëshirshme.  Rreth 1000 civilë të pambrojtur u vunë në shënjestër të arsenalit të shumtë të gjuajtjeve të pakontrolluara brenda një hapësire të mbyllur pa shtegdalje, ku prej tyre 117 u vranë dhe rreth 200 u plagosën. Kujtimi i kësaj ngjarje dhe nderimi ndaj viktimave është edhe thirrje për angazhim me vendosmëri të institucioneve për sjelljen e drejtësisë. Drejtësia për Dubravën është borxh që shteti ua ka viktimave, familjarëve dhe vetë së ardhmes sonë si shoqëri.  Sot, në 26 vjetorin e kësaj masakre, përulemi me nderim para kujtimit të të rënëve. Ata janë zëri që na thërret të mos harrojmë, të mos heshtim dhe të mos ndalemi derisa drejtësia të vihet në vend. Lavdi përjetë viktimave të masakrës së Dubravës. Kujtimi i tyre do të jetë gjithmonë udhërrëfyes i angazhimit tonë për drejtësi”, ka thënë Haxhiu.