Kompania Rajonale e Mbeturinave, “Pastrimi” ka thënë se nënshkrimi i kontratës është vetëm hapi i parë, derisa kanë kërkuar bashkëpunim me komunën për zgjidhjen afatgjate të pastrimit të qytetit.
Në letrën që “Pastrimi “ e ka quajtur kërkesë, thuhet se e vlerësojnë çdo përpjekje për fillimin e bashkëpunimit dhe angazhimit në adresimin e situatës së krijuar me largimin e mbeturinave.
Kanë sqaruar se Kontrata për mirëmbajtje të hapësirave sipërfaqësore e nënshkruar nga dy palët ka të bëjë mirëmbajtjen dhe pastrimin e hapësirave sipërfaqësore, si parqet, hapësirat publike të lagjeve dhe zona të tjera të ngjashme, përbënë shërbim krejtësisht tjetër nga problematika bazë.
Nënshkrimi i kontratës sipas “Pastrimit” u bë në dakordim me përfaqësuesit e punëtorëve, si një shërbim shtesë.
“Megjithatë, kjo kontratë nuk e adreson problemin themelor, i cili ka të bëjë me shërbimin primar të largimit të mbeturinave nga qyteti, si dhe me pagesat e papaguara për më shumë se katër muaj. Këto mjete janë thelbësore për të siguruar furnizimin me naftë dhe për të rifilluar menjëherë operimin e rregullt, duke garantuar gjithashtu edhe stabilitet financiar afatgjatë”.
Prandaj, ata kanë kërkuar nga Komuna që të ulen urgjentisht për të zgjidhur këtë çështje, për shërbimet bazë dhe obligimet financiare të papaguara deri tani, kjo sipas tyre do të ishte mënyra që t’i kthehen normalitetit dhe ofrimit të shërbimeve për qytetarët e Prishtinës.
“Pastrimi” ka thënë se janë të hapur dhe të gatshëm për bashkëpunim, në çdo kohë.