Ministria për Evropën dhe Punët e Jashtme e Shqipërisë thotë të jetë informuar nga autoritetet gjermane për këtë aksident të rëndë rrugor të ndodhur në orët e para të mëngjesit të kësaj të diele, pranë qytetit Koblenz, ku janë përfshirë disa shtetas shqiptarë.

“Me keqardhje njoftojmë se si pasojë e këtij aksidenti kanë humbur jetën tre shtetas shqiptarë, ndërsa katër të tjerë janë plagosur dhe po marrin trajtim në spitalet lokale. Ambasada e Republikës së Shqipërisë në Berlin dhe Konsullata e Përgjithshme në Mynih kanë qenë në kontakt të vazhdueshëm me autoritetet gjermane dhe kanë ndjekur nga afër zhvillimet. Hetimet për rrethanat e aksidentit janë ende në vijim”, thotë kjo ministri.

Kanë treguar se strukturat e tyre konsullore kanë ofruar mbështetjen e nevojshme për qytetarët e prekur dhe kanë qenë të angazhuara gjatë gjithë ditës për të ndihmuar në menaxhimin e situatës.