Duke komentuar kandidaturën për kryetare të Kuvendit të Albulena Haxhiut, Kurti u shpreh se emri i saj nuk është aspak në diskutim dhe se bllokimi po bëhet nga opozita përmes refuzimit të kuorumit në votimin e fshehtë.

“Albulena Haxhiu nuk është as në pyetje, as në pikëpyetje. E, përgjigja është votimi i fshehtë për çfarë opozita padrejtësisht dhe me dëm për shtetin e Kosovës po e pamundëson kuorumin”, ka theksuar Kurti.

Ndërkohë, deputetët e zgjedhur më 9 shkurt do të mblidhen sërish nesër në Kuvendin e Kosovës në përpjekjen e 22-të për konstituimin e Legjislaturës së nëntë.

Të dielën ka dështuar përpjekja e 21-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës. Sërish nuk u arrit të formohet komisioni për votim të fshehtë për zgjedhjen e kryeparlamentarit.

Nën drejtimin kryesuesit Avni Dehari, seanca nuk pati kuorum për vendimmarrje lidhur me komisionin zgjedhor për zgjedhjen e kryetarit të Kuvendit, pasi subjektet politike parlamentare, PDK, LDK, Lista Serbe dhe AAK-Nisma, nuk propozuan deputetë për anëtarë të këtij komisioni.

Për përbërjen e komisionit, me anëtarët e propozuar në vazhdimet e kaluara të seancës, për të cilin votuan pro 53 deputetë, ndërsa 1 kundër dhe abstenime nuk pati.

Derisa dështimi për konstituimin e Kuvendit po përsëritet, partitë politike vazhdojnë të kritikojnë njëra-tjetrën për bllokadën politike.