Deputetja e Partisë Demokratike të Kosovës, Vlora Çitaku, ka akuzuar kryetarin e Lëvizjes Vetëvendosje, njëherësh kryeministrin në detyrë Albin Kurti dhe deputeten e kësaj partie Albulena Haxhiu për bllokadën në Kuvendin e Kosovës.
“Bllokada institucioneve ka emrin e Albin Kurtit dhe Albulena Haxhiut. Edhe njëherë bëjë ftesë për reflektim. Qytetarët na kanë votuar për t’i adresuar problemet dhe sfidat e tyre. Kosova është më e madhe se secili prej nesh”, ka thënë Çitaku shkurt pas seancës.
E njëjta në një deklarim tjetër për media para fillimit të seancës tha se PDK gjatë kësaj periudhe ka qenë jashtëzakonisht korrekte dhe konstruktive.
“Kemi ofruar rrugëdalje nga kjo gjendje e bllokadës në të cilën jemi futur ekskluzivisht falë kokëfortësisë së zotit Albin Kurti dhe ambicies së zonjës Albulena Haxhiu. Edhe sot ju bëjmë ftesë që të reflektojnë. Kosova është shumë më e madhe se secili emër i përveçëm në atë sallë . Ne jemi të gatshëm për zgjidhje, i kemi dhënë propozimet tona. Në këtë pikë shpresojmë që zoti Kurti të reflektojë”, ka thënë ajo.