Përmes një opinioni Ex Officio, Avokati i Popullit ka ofruar qëndrimin e përgjithshëm lidhur me çështjen e rritjes së çmimit të energjisë elektrike nga Zyra e Rregullatorit për Energji (ZRRE), si dhe efektet e krijuara nga kjo rritje, në dritën e garancive kushtetuese dhe ligjore sa i përket të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Avokati i Popullit vlerëson se rritja për 16.1% e tarifave për energjinë elektrike ndikon drejtpërdrejt në rritjen e kostos së jetesës, duke rënduar veçanërisht situatën e konsumatorëve në nevojë dhe të familjeve që përfitojnë asistencë sociale.

Më tej në opinion shprehen shqetësime serioze për mungesën e bashkërendimit ndërinstitucional dhe mosrespektimin e dispozitave të nenit 49 të Ligjit për Energjinë Elektrike, i cili kërkon konsultim ndërmjet ZRRE-së dhe institucioneve përgjegjëse për mbrojtjen e konsumatorëve në nevojë.

Në përgjigje të shqetësimeve që ka pranuar nga ankesat e qytetarëve, përfaqësues të sektorit privat, Oda Ekonomike e Kosovës dhe avokatë të palëve të prekura, Avokati i Popullit ka vlerësuar se Qeveria e Kosovës ka obligim të veprojë në përputhje me dispozitat e Ligjit për Energjinë Elektrike, në mënyrë që vendimet e tilla të ZRRE, të përcillen me masa përmes të cilave do mbrohen të drejtat e konsumatorëve në nevojë dhe kategoritë e tjera të cenueshme.

“Po ashtu të ndërmarrin masa konkrete me qëllim të krijimit e kushteve të përballueshme edhe për komunitetin e biznesit, duke krijuar kushte të përshtatshme për liberalizim të tregut me kushte të favorshme, si dhe duke marr masa me qëllim që të shmangët krijimi i monopolit”.

Gjithashtu vlerëson se mungesa e institucioneve të konstituuara në kohën e marrjes së vendimeve ka pamundësuar një proces të balancuar dhe të përgjegjshëm.

“Vendimet e marra në mungesë të kapaciteteve të plota institucionale mund të sjellin pasoja të pariparueshme për qytetarët dhe nuk i shërbejnë interesit publik. Në këtë kontekst, është e domosdoshme të theksohet përgjegjësia që bie mbi qeverinë dhe institucionet përkatëse, të cilat kanë për detyrë të garantojnë një proces të rregullt, të drejtë dhe transparent në menaxhimin e kësaj çështjeje”.

Tutje në opinion theksohet se mungesa e transparencës gjatë procesit ka kontribuar në rritjen e mosbesimit publik, ndërsa shqetësimet e ngritura nga qytetarët kanë mbetur pa përgjigje adekuate, duke thelluar ndjenjën e papërgjegjshmërisë institucionale.